Arrestohen katër të kthyer nga Siria

Katër burra janë arrestuar nën dyshimet se kanë marrë pjesë aktivisht në luftën në Siri.

Këta burra ishin pjesë e një grupi prej 110 personave që u kthyen në Kosovë përmes operacionit të Kosovës në bashkëpunim edhe me ShBA-në.

Rashit Qalaj, Drejtor i Policisë së Kosovës tha se katër burrat do të dalin para drejtësisë ndërsa pjesa tjetër që janë gra dhe fëmijë, do të rehabilitohen.

“Janë kthyer 110 shtetas kosovarë, 4 luftëtarë 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë. Të gjithë personat që kanë kryer vepra penale do të dalin para drejtësisë ndërsa të tjerëve do t’u ofrohet rehabilitim. Policia ka arrestuar katër luftëtarët”, tha ai.

Në anën tjetër edhe Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Naser Ramadani tha se do të bëjnë kontroll të përgjithshëm tek 104 gratë dhe fëmijët për ndonjë sëmundje eventuale.

“Ju informoj se për arsye të ruajtjes së shëndetit publik, ekipi i mjekëve do të bëjë kontrollin shëndetësor. Rekomandojmë që këta persona pa presion publik apo medial t’i lejohet integrimi”, tha Ramadani.

ë[