Seanca për caktimin e masës së sigurisë, të arrestuarit në Gjykatë

Arrestohen edhe dy shtetas malazez lidhur me aksionin e 18 korrikut në lagjen 'Kalabria'

Policia e Kosovës në bashkëpunimi me autoritetet e sigurisë së Malit të Zi, ka arritur të mësojnë identitetin e vërtetë të dy të arrestuarve, shtetas malazez të cilët ndërlidhen me grupin e katër personave të arrestuar natën e 18 korrikut në lagjen “Kalabria” në Prishtinë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha, ka thënë për KALLXO, se lidhur me arrestimin e katër personave ditë më parë, kanë arritur që t`i identifikojnë edhe dy shtetas malazez të cilët janë ta arrestuar, të njëjtit janë paraqitur me identitet të tjetër.

“Pas arrestimeve ditë më parë, gjatë një operacioni taktik nga Policia e Kosovës, të dy shtetasve malazez, një serbi dhe një shqiptareje, dhe bashkëpunimit reciprok-intensiv ndërmjet autoriteteve tona dhe atyre malazeze, me qëllim të verifikimeve të ndryshme dhe ndërlidhjeve që janë bërë për rastin e të dyshuarit (M.M.). Ka rezultuar se tani më kemi nën kontroll edhe dy shtetas tjerë malazez të cilët ndodhen në burg në vendin tonë por që përdornin identitet tjetër”, ka thënë zëdhënësi Daut Hoxha.

Sipas tij, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë së përgjithshme, në luftimin e të gjitha llojeve të krimit dhe nuk do t’i lejoj askujt veprimet apo aktivitetet që bien ndesh me ligjin dhe Kushtetuten e vendit dhe atë përmes një bashkëpunimi dhe partneriteti të vazhdueshëm edhe me autoritetet tjera ndërkombëtare dhe të sigurisë.

Mediat malazeze kanë raportuar mbrëmë se janë arrestuar edhe dy shtetas malazez nga ana e Policisë së Kosovës lidhur me aksionin e natës së 18 korrikut ku u arrestuan 4 persona, dy malazez, në serb dhe një shtetase e Kosovës.

Siç raportojnë media në Mal të Zi, Policia e Kosovës ka arrestuar V.V.(23) dhe I.M. (22) nga Cetinja, të kërkuar përmes Interpolit nga autoritetet në Mal të Zi.

“Ekzistojnë kërkime të vazhdueshme në disa vende në territorin e Podgoricës, vende të cilat përdoren nga persona të dyshuar për ofrimin e mbështetjes logjistike gjatë ikjes së të dyshuarve. Policia e Kosovës arrestoi V.Vujaçiç (23) dhe I.Mašanoviç (22) nga Cetinja. Ata ishin të kërkuar nga urdhri i Interpolit i lëshuar nga autoritetet e Podgoricës, me dyshimin se, së bashku me M.M. (38) nga Podgorica kanë marrë pjesë në vrasjen e  Cetinjanin Radomir Djurikoviq më 10 tetor 2016”, raporton “Vijesti”.

“Në vazhdën e bashkëpunimit të suksesshëm dhe efektiv në mes të oficerëve të Policisë dhe Drejtorisë së Policisë së Kosovës, është kryer një veprim tjetër i përbashkët në territorin e Kosovës dhe janë arrestuar I.M. dhe V.V. për të cilët është lëshuar një urdhër nga Banka Kombëtare e Interpolit Podgoricë për një dyshim të arsyeshëm që së bashku me M.M. ata kanë kryer vepra penale e vrasjes serioze”, raporton “Vijesti”.

Ndryshe, dy malazezë, një serb dhe një kosovare, u arrestuan nga Policia e Kosovës mbrëmjen e 18 korrikut në lagjen “Kalabria” të Prishtinës. Ata dje janë paraqitur para Gjykatës Themelore të Prishtinës, për të dëgjuar pretendimet e Prokurorisë ndaj tyre.

Katër të arrestuarve dje Gjykata Themelore në Prishtinë ua caktoi masën e paraburgimit me nga 30 ditë.

Mario Millosheviq dhe Gjorgje Paviqeviq, shtetas të Malit të Zi, Strahinja Dakoviq shtetas i Serbisë dhe Laureta Zyba, shtetase e Republikës së Kosovës u arrestuan në një operacion të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Mbi të dyshuarit, rëndon pretendimi i Prokurorisë për veprat penale të mbajtjes nën kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve si dhe blerja, posedimi,  shpërndarja dhe shitja paautorizuar e narkotikëve.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar, ka dyshim se disa prej të dyshuarve kanë kryer vepra të rënda penale dhe për këtë arsye masa e paraburgimit është proporcionale.

https://kallxo.com/ekskluzive-cfare-deklaruan-kater-te-arrestuarit-para-gjykates/