Foto: Policia e Kosovës

Arrestohen 5 persona, u kapën me arsenal luftarak të armëve

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ka arrestuar pesë persona të dyshuar të përfshirë në trafikim me armë.

Arrestimi i të dyshuarve është bërë pasi Policia ka zhvilluar hetime disa mujore për zbulimin e veprimtarisë kriminale të të dyshuarve, që në vazhdimësi merreshin me kryerjen e veprave penale të trafikimit të armëve.

Duke u bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente është ndërmarrë operacioni policor “TRUDA”, ku janë arrestuar pesë të dyshuar dhe janë bërë kontrolle të shtëpive dhe objekteve përcjellëse, pronë e të dyshuarve.

Kontrollet janë realizuar në rajonin e Prishtinës (në katër lokacione), dhe në rajonin e Mitrovicës (një lokacion).

Të dyshuarit e arrestuar gjatë këtij operacioni policor janë, S. V. lindur me 1965, R. V. lindur me 1967, H. A. lindur me 1977, S. Sh. lindur me 1953 dhe E. Sh. lindur me 1980.

Si prova materiale janë sekuestruar, 5 armë zjarri të vogla, 6 armë me gaz “Ekol” special 99 – kal. 9 mm, 1 pushkë gjysmë-automatike, 3 pushkë gjuetie, 2 pushkë ajrore, 341 fishekë, kalibra të ndryshëm, pjesë të ndryshme të armëve, 4 telefona celularë, 6400 euro para kesh, dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale, dy vetura (si mjet i kryerjes së veprës penale).

Personat e dyshuar, në bazë të aktvendimit të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.

Foto: Policia e Kosovës
Foto: Policia e Kosovës