Policia shqiptare - Foto: Facebook

Arrestohen 2 shtetas shqiptarë të kërkuar për vjedhje në Itali

Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Drejtorinë Qendrore Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Interpol Tirana, pas një operacioni të mirorganizuar ia kanë dalë të arrestojnë dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Me qëllim ekstradimi drejt Italisë gjatë operacionit policor të koduar me emrin “Hijet e natës” janë arrestuar A.M., 25 vjeç, dhe B.M. 23-vjeç, të dy banues në fshatin Manzë të Durrësit.

A.M. ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Firences në Itali ka lëshuar urdhër arresti ndaj tij në korrik 2018, për kryerjen e veprave penale – vjedhja me armë, vjedhja dhe pastrimi i produkteve të veprës penale.

Ndërsa, B.M. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Firences në Itali ka lëshuar urdhër arresti ndaj tij në korrik 2018 , për kryerjen e veprës penale – vjedhja me armë.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme.