Rashit Qalaj para Komisionit per Pune te Brendshme... 27.03.2019

Arrestimi i policit nga Suhareka dhe atij nga Drenasi, flet drejtori Rashit Qalaj

Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj ka deklaruar sot se kanë kërkuar që të jenë pjesë e hetimeve ndaj dy zyrtarëve policorë, atij të Suharekës i cili u arrestua nën dyshimet për vrasjen në Kazino dhe ndaj policit nga Drenasi i dyshuar për abuzim seksual me një të mitur.

Qalaj tha se nuk u është pranuar kërkesa që të jenë pjesë e hetimeve dhe se tani hetimet është duke i zhvilluar vetëm Inspektorati Policor i Kosovës. Qalaj këto deklarata i ka bërë para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri.

“Sa i përket rastit të Drenasit, ende është në hetim dhe ende është duke e hetuar IPK dhe kemi kërkuar nga ta që të involvohmi edhe ne, por është pjese e hetimit vetëm IPK.  Edhe rasti i Suharekës, zyrtari policor është arrestuar ndërsa rasti edhe këtu është duke u hetuar edhe nga IPK. Jemi duke shikuar edhe performancën e policit”, tha drejtori Qalaj.

Deputeti i LVV-së, Rexhep Selimi kërkoi sqarime nga Qalaj edhe për masat që Policia e Kosovës i ka ndërmarrë ndaj zyrtarit policor në lidhje me rastin e djalit të drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës, Shpend Maxhuni.

“Mund të them lirisht që zyrtari policor që është suspenduar nga puna, është suspenduar pasi që i njëjti ka nxjerrë informata nga data baza e cila është sistem i klasifikuar. Mund të them se ai ka pasur dy ndërhyrje në sistem. Rasti i parë është hetuar dhe është arsyetuar pasi që kërkesa është bërë nga patrulla, por në sistemin e policisë është e pamundur me ndërhy pa lënë gjurmë”, deklaroi ai.

Qalaj tha se suspendimi ka ndodhur pasi zyrtari policor ka ndërhyrë në sistem pa patur kërkesë.

“Në rastin e dytë ndërhyrja ka zgjatë 18 sekonda. Suspendimi nuk është bërë për shkak të informatës se për çka ka qenë, por i njëjti zyrtar policor ka ndërhyrë në sistemin e policisë pa asnjë kërkesë”, tha drejtori.