Arrestim dhe Bastisje për Vrasjen e Egzon Mazrekut

Lajmin për arrestimin e konfirmoi për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë Regjionale të Prizrenit, Hazir Berisha.

“Në kuadër të hetimeve për rastin e vrasjes së Egzonit në Sopi, sot e kemi arrestuar edhe një të dyshuar me mbiemër Sahitaj,” tha Berisha.

Berisha, po ashtu njoftoi se në orët e mëngjesit janë bastisur disa lokacione në kërkim të dy të dyshuarve tjerë.

“Kemi pasë bastisje në tri lokacione në Prishtinë për dy të dyshuarit tjerë, fotot e të cilëve ditë më parë i kemi publikuar për media, mirëpo nuk kemi mundur t’ i gjejmë,” tha Berisha.

Ai njoftoi se Policia e Kosovës është duke zhvilluar hetime të vazhdueshme për këtë rast.

Policia publikoi të hënën fotografitë e dy personave që po kërkohen për këtë vrasje.

“Lidhur me rastin e vrasjes së Egzon Mazrekut nga Sopia që pati ndodhur me datën 27 janar hetues rajonalë të policisë në Prizren kanë arritur që t’i identifikojnë kryerësit e kësaj vepre penale dhe  njërin nga ta ta arrestojnë dhe ta sjellin para drejtësisë, ndërsa dy të tjerë mbeten në kërkim,” sqaroi policia të hënën me anë të një komunikate.

Policia të hënën bëri gjithashtu të ditur se të identifikuarit për vrasjen e Egzon Mazrekajt janë me precedentë të shumëfishtë kriminalë, të armatosur dhe të rrezikshëm, ndërsa ftoi qytetarët për bashkëpunim.

“Me qëllim të krijimit të një ambienti të sigurt dhe të qetë, kërkojmë nga qytetarët të cilët posedojnë ndonjë informacion sado të vogël për këta dy persona të njoftojnë stacionin më të afërt policor,” vijoi komunikata e policisë.

KALLXO.com shkroi më 31 janar për arrestimin e një të dyshuari në lidhje me vrasjen e të riut në Sopi të Suharekës.

http://kallxo.com/vrasja-e-egzon-mazrekut-arrestohet-nje-i-dyshuar/

Egzon Mazrekaj u vra në shtëpinë e tij më 27 janar, ndërsa një ditë më vonë familjarët e tij treguan me emocione se si ndodhi kjo vrasje.

http://kallxo.com/misteri-i-vrasjes-se-mazrekajt/