Arrest Shtëpiak të Dyshuarve për Grabitje në TC ‘Kosova B’

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj tetë të dyshuarve për veprën penale të grabitjes në termocentralin “Kosova B”.

Agron Bajrami, Alban Ibrahimi, Arbnor Ibrahimi, Leart Halimi, Rafet Kuleta, Imad Qerkezi, Mensur Leka dhe Mentor Ibrahimi dyshohen se ndërmjet muajve shkurt e korrik të këtij viti në kuadër të veprës grabitje në termocentralin “Kosova B” kanë kryer veprat grabitje, armëmbajtje pa leje, ndihmë në kryerjen e veprës penale, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, e të tjera.

Për këtë rast Prokuroria kishte propozuar që ndaj të pandehurve të caktohej masa e paraburgimit, por Gjykata vendosi për masën e arrestit shtëpiak në afat prej një muaji.

Asdren Hoxha, avokati i të dyshuarit Mentor Ibrahimi tha për KALLXO.com se nuk mund ta fshehin kënaqësinë që Gjykata nuk e miratoi propozimin e Prokurorisë për paraburgim.

“Në parim si mbrojtje nuk mund ta fshehim kënaqësinë që nuk është caktuar paraburgimi pasi që Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit edhe për të mbrojturin tim edhe për të dyshuarit tjerë. Mirëpo, prapë se prapë ne si mbrojtje nuk jemi të kënaqur sepse ne kemi kërkuar lirimin e klientit tim, duke konsideruar që nuk manifestohen elementet e veprës penale për çka është dyshuar i mbrojturi im. I mbrojturi im dyshohet për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të grabitjes”, deklaroi ai.

Avokati Hoxha deklaroi se në afatin ligjor do të parashtrojë ankesë ndaj vendimit me të cilin të mbrojturit të tij iu caktua masa e arrestit shtëpiak.