Prokurori i krimeve të rënda në Prizren - Foto: KALLXO.com

Arrest Shtëpiak Kërcënuesit të Prokurorit Sefa

Gjykata Themelore e Prizrenit ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji ndaj të dyshuarit H.P. për shkak të veprës penale të kanosjes ndaj prokurorit të krimeve të rënda në Prizren, Mehdi Sefa.

Lajmin për KALLXO.com e bëri të ditur prokurori i rastit Zejnulla Gashi.

“Të pandehurit për kanosje i është caktuar masa e arrestit shtëpiak”, tha Gashi.

Prokurori Gashi bëri të ditur arsyen e moskërkesës për caktim të masës së paraburgimit.

“Jam tërhjekur nga kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, pasiqë i pandehuri në seancë për caktimin e masës ka pranuar veprën penale dhe është penduar thellë për veprimet e tij”, tha Gashi.

KALLXO.com të enjten raportoi për rastin e kanosjes ndaj prokurorit të krimeve të rënda në Prizren.

Prokurori Mehdi Sefa tha se personi i dyshuar kishte kërkuar prokurorin në recepcion dhe me të hyrë në zyrë kishte filluar ta ofendonte dhe kërcënonte.

“Ai më fajësonte për dënimin që kishte marrë djali i tij, lëndën e të cilit e kam pasë unë. Më quajti me fjalë fyese “gomar prokuror” dhe vazhdoi të më kërcënonte duke mos u larguar nga zyra ime”, tha prokurori Sefa.

Më tutje, prokurori Sefa tregoi se fjalët kërcënuese kishin vazhduar nga i dyshuari në zyrën e tij derisa ai ishte detyruar ta lëshonte zyrën dhe të intervenonte Policia në arrestimin e të dyshuarit.

Motivi i kanosjes ndaj prokurorit nga i dyshuari H.P. duket të jetë lënda e djalit të tij, të cilin prokurori e kishte akuzuar për dy vepra penale: atë të vrasjes në tentativë dhe të armëmbajtjes pa leje.

Prokurori njoftoi se djali i të dyshuarit për këto dy vepra penale është dënuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit me 22 muaj burg. I pakënaqur me këtë vendim, prokurori Sefa kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit dhe dënimi ishte rritur në 3 vjet burg.

Si rezultat i kësaj, prindi i të dënuarit e kishte kërcënuar prokurorin se për fajin e tij djali i ishte dënuar me një dënim kaq të lartë.

http://kallxo.com/kercenohet-prokurori-krimeve-te-renda-ne-prizren/