Arkiv - Sami Lushtaku. Foto: Kallxo.com

Arratisja nga QKUK, Gjykata cakton datën e seancës ndaj Sami Lushtakut

Gjykata e Prishtinës, tash kur kanë kaluar më shumë se një vit nga konfirmimi i aktakuzës e ka caktuar seancën për rastin e arratisjes nga QKUK-ja e të akuzuarit Sami Lushtaku në kohen kur ai po gjykohej për krime lufte.

Të akuzuar në këtë rast janë edhe Mërgim Lushtaku, aktualisht deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Emrush Thaçi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Bajram Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjeku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Xhevdet Zena, Gëzim Ahmetaj, Ylber Blakaj, Argjent Behramaj, Valon Behrmaj, Bashkim Dervisholli, Mervete Hasani- Lushtaku dhe Dardan Geci.

Lajmin për caktimin e seancës e ka konfirmuar për Kallxo.com mbrojtësi i të akuzuarit Emrush Thaçit, avokati Bajram Sherifi.

Seanca e radhës është caktuar me 28 gusht.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e poashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burg.

 

 

12 Korrik 2019 - 17:03

Erblina Sejdiu 12/07/2019 - 17:03
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend