Pamje nga brenda e Qendrës Korrektuese në Lipjan - Foto: KALLXO.com

Arratisja e dëshmitarit nga burgu e ndërpret gjykimin për vrasjen në Rahovec

Arsyeja e ndërprerjes së shqyrtimit kryesor, i cili ishte paraparë që të vazhdojë sot në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ndaj të akuzuarit për vrasje Feriz Hoti, ishte mungesa e dëshmitarit Muhamet Kiqmari, i cili ishte arratisur nga Qendra Korrektuese Smrekonicë.

Gëzim Pozhegu si gjyqtar i rastit, konstatoi se Policia e Kosovës i kishte dërguar email duke e lajmëruar që dëshmitari Muhamet Kiqmari, i cili është thirrur në këtë gjykim në cilësinë e dëshmitarit, është arratisur nga burgu.

Urdhëresa për sjelljen e tij në gjykatë nuk është përmbushur për arsye se i dënuari i cili gjendej në këtë Qendër Korrektuese, me datë 16 Gusht është arratisur nga ky Institucion.

Në emailin e Qendrës Korrektuese të Smrekonicës që kishte pranuar Gjykata Themelore në Gjakovë, thuhet se Muhamet Kiqmari i thirrur si dëshmitar në rastin e vrasjes që kishte ndodhur në Maj të vitit 2017 në Rahovec, ishte arratisur nga burgu.

Kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu, tha se gjykimi ndërpritet,  pasi që dëshmitarët të cilët janë propozuar për të dhënë dëshmi janë dëshmitarë kyç të këtij rasti.

Si pasojë e kësaj, gjyqtari Pozhegu e shtyri seancën për një datë të pacaktuar.

Gjatë shqyrtimit të sotëm gjyqësor në këtë rast janë dëgjuar dy ekspertë në cilësinë e dëshmitarëve.

Prokuroria pretendon se në maj të vitit të kaluar, Feriz Hoti ka privuar nga jeta tani të ndjerin Hamdi Jusufin.

Aktakuza ndaj Hotit është ngritur nga ish prokurorja Shpresa Bakija.

Në fillim të seancës, gjyqtari i rastit  Gëzim Pozhegu, konstatoi se Policia e Kosovës kishte dërguar email dhe e kishte lajmëruar që dëshmitari Muhamet Kiqmari, i cili është thirrur në këtë gjykim në cilësinë e dëshmitarit, është arratisur nga burgu.

Ndërsa dëshmitarët tjerë Evan Potera dhe Bajram Morina nuk janë gjetur nga Policia e Kosovës edhe pse gjykata kishte lëshuar urdhëresë ndaj tyre.

Eksperti mjeko-ligjor Naim Haliti dëshmoi se “në ekzaminimin e kufomës janë gjetur lëndime, në kokë ku në pjesën e pasme ka qenë një vrimë hyrëse e dalëse e shkaktuar nga arma e zjarrit”.

“Ky lëndim ka qenë vdekjeprurës, kurse lëndime tjera janë gërvishtje”, tha eksperti Haliti.

Ai tha se vdekja ka qenë e menjëhershme.

“Si rezultat i lëndimit të shkaktuar nga arma me të cilën është gjuajtur në drejtim dhe ka prekur tashmë të ndjerin Hamdi Jusufin, vdekja ka qenë e menjëhershme”, tha eksperti Naim Haliti.

Ndërsa eksperti i balistikës Sinan Topalli, dëshmoi se arsyeja e  dilemave të armës është fakti i materialit të dy gëzhojave të gjetura, mirëpo kalibri është i njëjtë.

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur në dhjetor  të  vitit 2017, i akuzuari Feriz Hoti, ishte deklaruar i pafajshëm për veprën që i ngarkohet.

Prokuroria pretendon se Hoti këto vepra i ka kryer natën e 17 majit të vitit 2017, ku qëlloi drejt disa personave që po tentonin të hynin dhunshëm në dyqanin e tij.

Në aktakuzë thuhet se Feriz Hoti pasi dëgjoi zhurmën që po shkaktonin Hamdi Jusufi, Muhamet Kiqmari, Liridon Sylejmani dhe Evan Potera, që po tentonin të thyenin derën e marketit “RamaF”, për të vjedhur brenda tij, doli nga oborri i shtëpisë dhe më armë filloi ndjekjen e tyre.

Sipas aktakuzës, katër persona që po tentonin të vidhnin në lokalin e tij, Hoti në fillim u kërkon të ndalet duke  i sharë e më pas kur ata vazhdojnë të ikin, ai fillon të gjuajë drejt tyre me pushkën automatike “AK-47”.

Në aktakuzë përshkruhet edhe momenti kur i akuzuari e qëllon tani të ndjerin Hamdi Jusufi.

Në të shtënën e fundit e qëllon tani të ndjerin Hamdi në pjesën e kokës dhe nga plaga e marrë vdes në vendin e ngjarjes, thuhet mes tjerash në aktakuzë.