Gjykata Themelore në Pejë - Foto: KALLXO.com

Arratiset për në Serbi i akuzuari për krime lufte në Pejë

Momçilo Jovanoviq, i cili po akuzohet për krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare në fshatin Vitomiricë të Pejës, është arratisur për në Serbi.

Gjykimi ndaj Jovanoviqit ishte paraparë të fillonte sot mirëpo shkaku i mungesës së tij, gjykata u detyrua ta shtyjë seancën dhe të lëshojë urdhër arrest vendor dhe ndërkombëtar.

Jovanoviq kishte qëndruar në paraburgim, më pas në arrest shtëpiak për t’iu zëvendësuar në fund me masën e lajmërimit në stacionin policor, çka kishte rezultuar me arratisjen e tij për në Serbi.

Sipas Prokurorisë Speciale, Momçilo Jovanoviq ka qenë pjesë e grupit të civileve të armatosur dhe rezervist i armatës të cilët janë furnizuar me armë nga armata Jugosllave.

“I akuzuari Momçilo Jovanoviq nuk ka ardhë në gjykatë. Nga raporti I policisë së stacionit policor në Vitomiricë është konstatuar se personi pas ndërprerjes së arrestit shtëpiak ka shkuar në Serbi dhe nuk është kthyer në Kosovë”, tha gjyqtari Sali Berisha.

Këto veprime sipas prokurorisë janë ndërmarrë gjatë periudhës 24 mars 1999 deri më 12 qershor 1999, në kohën kur ekzistonte konflikti i brendshëm dhe ndërkombëtar me RFJ.

Sipas aktakuzës, Jovanoviq bashkë me persona të pa identifikuar në kohën e luftës ka kryer vrasjen e civileve shqiptarë Bardh Aliu, Miradije Grabovci e Xhafer Grabovci.

Në aktakuzë përshkruhet se pasi Momçilo Jovanoviq kishte hyrë në fshatin e viktimave ishin dëgjuar të shtëna dhe ishin djegur shtëpi, me ç’rast ka bërë edhe shkatërrimin e pronave private.

Ai akuzohet edhe se në një pikë kontrolli gjatë gushtit dhe shtatorit 1998, e kishte ndalur Shaban Sadikun dhe nuk e kishte lejuar të shkonte ta vizitonte gruan e sëmurë më që rast ia kishte vënë tytën e automatikun të fyt, duke i shkaktuar frikë.