Foto: KALLXO.com

Gjykimi për vrasjen në Malishevë, dëgjohen CD-të nga përgjimet në shtëpinë e të dyshuarës

Në gjykimin e Nafije Rrafshit, e akuzuar për vrasjen e Sefer Berishës, vrasje që ka ndodhur në gusht të vitit të kaluar në Lladrovc të Malishevës, sot në Gjykatën e Gjakovës janë lexuar të gjitha provat materiale të rastit.

Pas administrimit të provave, në Gjykatë janë dëgjuar përmbajtjet e CD-ve me përgjimet pas aplikimit të masave të fshehta si dhe janë shikuar pamjet e kamerave të vendit të ngjarjes.

Prokuroria e Gjakovës po akuzon Nafije Rrafshin për vrasjen e 57-vjeçarit Sefer Berisha.

Në CD-të e dëgjuara, e akuzuara dëgjohej duke biseduar me vajzat e saj, për djalin e saj.

Këto përgjime ishin siguruar nga masat e fshehta në shtëpinë e të akuzuarës dhe e njëjta dëgjohet duke thënë: “Ah djali jem çka na bone”.

Ndërsa në pamjet e kamerave të pompës së derivateve “Loni Petrol” dhe restorantit në Malishevë, shihet i ndjeri Sefer Berisha duke parkuar veturën “Opel Vectra” dhe më pas duke dalë nga lokali.

Mirëpo, më pas, në po të njëjtën pompë, shihet se ndalet edhe vetura “Alfa Romeo”, në të cilën nuk shihet se cili person ndodhet brenda, nëse ndodhet e akuzuara ose jo.

Më pas prokurori Ali Uka, i propozoi Gjykatës që ky shqyrtim gjyqësor të shtyhet për një kohë të pacaktuar, me arsyetimin që të sigurohen bisedat telefonike (listingu dhe hartografia) dhe të ftohet eksperti nga lëmi i telekomunikacionit.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarës, Nafije Rrafshi, avokati Ndrec Dodaj e kundërshtoi propozimin e prokurorit, duke thënë që këto prova duheshin të siguroheshin në fillim.

“Hartografia nuk ka kurrfarë rëndësie sepse e akuzuara e pranon veprën e saj ku ka qenë dhe si është takuar me viktimën, por eksperti i balistikes dhe eksperti mjekoligjor me deklarimet e tyre e përjashtojnë të akuzuarën si kryese të veprës penale, pavarësisht se e njëjta thotë që e ka kryer veprën”, deklaroi avokati Ndrec Dodaj.

Ndërkaq gjykatësi Shaqir Zika, i ndihmuar nga gjykatëset Manduhije Syla dhe Besarta Doli, duke aprovuar propozimin e prokurorit caktuan datën 15 nëntor për mbajtjen e seancës së radhës.

Ky rast i vrasjes në Lladrovc të Malishevës, për çka po gjykohet Nafije Rrafshi, kishte vazhduar të bëhej gjithnjë e më i paqartë.

Edhe pse e akuzuara fillimisht ishte deklaruar e pafajshme, ajo nuk i mohon veprimet e saja e as që kishte pasur armë pa leje.

Kallxo.com kishte raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Vrasja në Malishevë bëhet edhe më misterioze, ekspertët do të dalin sërish në vend të ngjarjes

Prokuroria e Gjakovës po akuzon Nafije Rrafshin për vrasjen e 57 vjeçarit Sefer Berisha.

Në një seancë ishte propozuar që të dilej në vendin e ngjarjes.

Vrasja në Malishevë bëhet edhe më misterioze, ekspertët do të dalin sërish në vend të ngjarjes

Në këtë rast kishin dëshmuar edhe familjarë.

https://kallxo.com/gjykimi-per-vrasjen-ne-malisheve-deshmon-vellai-i-viktimes-dhe-kunati-i-te-akuzuares/

Nafije Rrafshi e akuzuar për vrasjen e Sefer Berishës dhe për armëmbajtje pa leje, ishte deklaruar e pafajshme për vrasjen ndërsa kishte pranuar se kishte mbajtur armë pa leje.

E dyshuara ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit të kaluar.

https://kallxo.com/e-akuzuara-per-vrasje-ne-malisheve-pranon-se-mbajti-arme-pa-leje/

Sipas Prokurorisë, përmes aktakuzës së ngritur në muajin janar 2019, kjo ngjarje ka ndodhur për arsye ende të panjohura.

Aktakuza shpjegon se Nafije Rrafshi në fshatin Lladrovc të Malishevës kishte vrarë Sefer Berishën.

Në aktakuzë thuhet se derisa Sefer Berisha ishte duke e vozitur automjetin e tij të udhëtarëve dhe ndalet në një breg në afërsi të një pylli, e pandehura Nafije shkon dhe i ulet në ulësen e pasme.

Pas një fjalosjeje dhe kacafytjeje, e njëjta nga çanta e saj nxjerr revolen dhe e qëllon të ndjerin disa herë dhe më pas largohet nga vendi i ngjarjes, thuhet në aktakuzë.

https://kallxo.com/aktakuze-ndaj-nje-te-dyshuare-per-vrasjen-ne-lladrovc-te-malisheves/

Kallxo.com kishte raportuar edhe në herët për këtë rast.

Fillimisht nga organet policore për këtë rast të vrasjes së 4 gushtit 2018, ishte arrestuar një person i gjinisë mashkullore.

https://kallxo.com/arrestohet-nje-i-dyshuar-per-vrasjen-e-4-gushtit-ne-lladrovc-te-malisheves/

Mirëpo më pas, Policia në bashkëpunim me Prokurorinë kishin gjetur si të dyshuar Nafije Rrafshin.

https://kallxo.com/arrestohet-edhe-nje-grua-per-vrasjen-e-57-vjecarit-ne-lladrovc-te-malisheves/

www.kallxo.com