Arkiv: Shani e Bahri Maloku, të vrarë në fshatin Plloçicë të Malishevës. Foto: Kallxo.com

Arma që vrau vëllezërit në Malishevë ende e paidentifikuar

Në gjykimin e të akuzuarve Besim dhe Blerim Maloku për vrasjen e dyfishtë në fshatin Plloqicë të Malishevës, sot në gjykatën e Gjakovës u dëgjua hetuesi policor dhe eksperti i balistikës.

Dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku kishin mbetur të vrarë më 9 mars 2018 ndërsa të akuzuar lidhur me këtë vrasje janë Besim dhe Blerim Maloku, po ashtu vëllezër, nga i njëjti fshat

Dëshmitari i sotëm, polici hetues Edmond Jakupaj, kishte dërguar për ekzaminim pushkën e gjetur tek i akuzuari Besim Maloku.

Ai tregoi se kishin gjetur një pushkë në bunarin e pronës së Besim dhe Blerim Malokut.

“Gjatë bastisjes prezent ka qenë personi Ismet Maloku dhe një person tjetër, e në përfundim të pastrimit të bunarit personi Ismet Maloku na ka treguar që Besim Maloku e ka një armë në shtëpinë e tij. Kemi shkuar aty dhe kemi gjetur një pushkë të gjatë pa municion nën divan të mbështjellë me batanije”, deklaroi hetuesi Jakupaj.

Ai tha se arma e konfiskuar ka pasur përputhje vetëm me një gëzhojë të gjetur në vendin e ngjarjes, e jo me nëntë gëzhojat tjera.

Në këtë gjykim, gjykimin Prokuroria po e akuzon Besim Malokun për dy vepra – vrasje e rëndë dhe mbajtje të armës pa leje- ndërsa Blerim Malokun vetëm për armëmbajtje pa leje.

Pas Jakupajt, sot ka dëshmuar edhe eksperti i balistikës Ilir Kukaj.

Gjykimi për vrasjen e dy vëllezërve në Malishevë. Foto: Kallxo.com

Kukaj tregoi se arma që kishte pasur për ekspertim ishte një pushkë automatike e zbrazët me karikator prej 30 fishekë.

“Gjatë gjuajtjes e njëjta për shkak të bllokimit nga mospastrimi nuk i kryen gjuajtjet ashtu siç duhet, sepse pas shkrepjes është dashur që plumbin ta nxjerrë me dorë”, deklaroi eksperti Ilir Kukaj.

“Karikatori prej 30 fishekësh nuk është adekuat për këtë armë, po i njëjti është modifikuar”, tha ai.

“Për ekspertim janë sjellë 10 gëzhoja, ku 9 prej tyre janë shkrepur nga një armë e pa identifikuar deri sot dhe një tjetër nga arma tjetër”, deklaroi eksperti i balistikës.

Më pas prokurori Ramiz Buzhala solli gëzhojën si provë panë trupit gjykues. Pas shikimit, eksperti i balistikës tha se “bazuar në shikimin vizual të gëzhojës duke krahasuar me nëntë gëzhojat tjera, ka dukshëm më tepër ndryshk në pjesën e brendshme”.

Në gjykatoren e Gjakovës, dëshmoi edhe Xhemajl Maloku, kushëri i të dëmtuarve.

Ai tregoi se natën e 9 marsit kishin qenë duke luajtur me letra.

“Rasti ka ndodhur rreth orës një të natës, ndërsa unë kam shkuar në shtëpi 5 minuta para vrasjes”, deklaroj dëshmitari Xhemajl Maloku.

“Oborri ka qenë në errësirë, vetëm para odës ka qenë një dritë por unë skam vërejtur asgjë”, tha ai.

“Kur ka bërtitur Albani nga jashtë, kam dëgjuar dy krisma, e pastaj kemi dalë të gjithë duke vrapuar”, deklaroi Xhemajli.

Ai tregoi edhe që bashkë me Uliksin e kishin dërguar me makinë Shaniun në emergjencë.

“Unë nuk i kam parë asnjërin prej dy personave që kanë gjuajtur, hiq nuk e di kush ka qenë”, tha dëshmitari Xhemajl Maloku.

Ndërsa avokati i palës së dëmtuar, Naim Rudari, bëri vërejtje në dëshminë e dëshmitarit duke thënë që “nuk po e thotë të vërtetën”.

Për këtë vrasje të dyfishtë po gjykohen dy kushërinjtë e viktimave, vëllezërit Besim dhe Blerim Maloku.

Rasti tragjik ka ndodhur natën e 9 marsit 2018 në Plloqicë të Malishevës.

Në fund të gjykimit mbrojtësi i të dëmtuarve avokati Naim Rudari, kërkoi nga gjykata që të bëhet ekzaminimi ose krahasimi i të gjitha gëzhojave në pjesën e brendshme dhe të jashtme.

Ndërsa trupi gjykues Gëzim Pozhegu, Ilir Rashkaj dhe Besarta Doli, duke aprovuar propozimin e avokatit Rudari, caktoi 6 qershorin si datë për dëgjimin e dëshmitarit Cen Maloku, i cili do të sillet me detyrim pranë gjykatës.

Kallxo.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast.

Në seancën e kaluar kishte dëshmuar edhe vëllai i dy të vrarëve.

https://kallxo.com/qan-ne-gjykate-gjate-deshmise-per-dy-vellezerit-e-vrare/

Bahri dhe Shani Maloku po qëndronin në shtëpinë e tyre para se të vriteshin sipas prokurorisë nga plumbat e njërit nga personat që kishin tentuar të kryenin vjedhje në atë shtëpi.

Shani Maloku ka qenë pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

https://kallxo.com/vrasja-e-dy-vellezerve-ne-malisheve-avokati-e-sfidon-aktakuzen/

Prokuroria po akuzon Besim Malokun për dy vepra, atë të vrasjes së rëndë dhe për mbajtje të armës pa leje, ndërsa Blerim Maloku po ngarkohet vetëm për armëmbajtje pa leje.

Nga Prokuroria po akuzohen se kanë privuar nga jeta dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku, njëri ndër ta Shani Maloku ka qenë pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në gjykimin e kaluar të mbajtur në dhjetor 2018, i akuzuari Besim ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e vrasjes së rëndë, ndërsa i akuzuari Blerim e kishte pranuar fajësinë për mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim pa leje të armës.

https://kallxo.com/vrasja-e-pjesetarit-te-fsk-se-i-akuzuari-per-armembajtje-pranon-fajesine/

Gjykata kishte aprovuar kërkesën e avokates mbrojtëse Feride Xani, për ndërprerjen e paraburgimit ndaj Blerim Malokut.

Ndërsa i akuzuari Besim gjendet në paraburgim prej 9Mars 2018.

Prokuroria e Gjakovës ka ngritur aktakuzën në muajin Nëntor të 2018, për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 9 mars 2018, ku dyshohet se Besim Maloku me dashje ka privuar nga jeta dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku, e gjithashtu ka rrezikuar jetën e Uliks, Hysni, Xhemajl dhe Afrim Malokut.

https://kallxo.com/njeri-nga-te-vraret-ne-malisheve-pjesetar-fsk-se/

Aktakuza ndaj Besim dhe Blerim Malokut, të cilët janë vëllezër, është ngritur nga prokurori Agron Matjani, raporton KALLXO.com.

Këto vepra janë kryer në fshatin Plloqicë të Malishevës.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kanë hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besimi me vete ka pasur një pushkë automatike ndërsa Blerimi një pistoletë.

Aktakuza shpjegon se pasi që viktimat i kanë parë të akuzuarit, të njëjtit kanë vrapuar për t’i zënë dhe duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka gjuajtur në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku.

Në aktakuzë thuhet se Blerim Malokut në shtëpinë e tij i janë gjetur një pistoletë dhe një pushkë gjuetie e punuar me dorë dhe të njëjtat janë sekuestruar nga personat e autorizuar.

https://kallxo.com/prokuroria-pretendon-se-hajnat-e-vrane-pjesetarin-e-fsk-se/