ARKEP fiton kontestin gjyqësor në vlerë prej 11 milionë euro

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka fituar kontestin gjyqësor në vlerë prej 11 milionë euro ndaj ndërmarrjes “Aurora Israphone” i cili kishte filluar që nga viti 2010.

ARKEP ka njoftuar se sot ka pranuar aktigjykimin refuzues nga Gjykata Themelore – Departamenti për çështje ekonomike në Prishinë ndaj kërkesëpadisë së ndërmarrjes “Aurora Israphone” me objekt të kontekstit “Kompensimi dëmit për fitimin e humbur”.

Ky proces ka filluar që nga viti 2010, ku janë mbajtur seancat gjyqësore, e ku pala paditëse ka kërkuar kompensimin e dëmit në vlerë prej 11 milionë euro nga PTK dhe ARKEP.

Në këtë proces ARKEP është përfaqësuar nga zyrtarët, Rrezarta Ajeti dhe Ilir Imeri.

“Kështu, pas një periudhe të gjatë të shqyrtimit të kësaj lënde, në të cilin janë trajtuar një numër i konsiderueshëm i provave materiale, ARKEP ka arritur me sukses të dëshmoj dhe vërtetoj të drejtën e saj, si një Rregullator i pavarur dhe i paanshëm ndaj të gjithë ofruesve të shërbimeve të komunikimeve elektronike që ushtrojnë veprimtarinë e tyre nëRepublikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e ARKEP.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me kompaninë e lartpërmendur por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.