Ariu mbyt 70 dele e qengja në Lipjan

Një ari ka mbytur 70 dele e qengja të fermës “Kenny’s Goat Ranch’, e cila gjendet në fshatin Babush të Muhaxherëve të komunës së Lipjanit.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, pronari i fermës, Krenar Ademi.

Ademi ka thënë se rasti ka ndodhur dje, derisa bagëtia ishte duke kullotur në fshatin Rrezari (Cërnillë) të Ferizajt, fshat që gjendet afër fshatit Babush të Muhaxherëve.

“Na ka bërë shumë dëm, veç ta shohësh vendin, është tragjedi”, ka thënë Ademi për KALLXO.com.

Në vendin e ngjarjes kur ka ndodhur ky incident ka qenë i pranishëm punëtori i kësaj ferme, Arsim Gavrica.

Ai ka rrëfyer për KALLXO.com se derisa ai së bashku me një punëtor tjetër ishin duke e ruajtur bagëtinë, për një moment kanë dëgjuar ulërimën e ariut.

“Kemi qenë dy veta me bagëtinë, njëri para e tjetri mbrapa, veç kur e kam dëgju një ulërimë të ariut edhe më nuk di çka ka ndodhë, nuk kam pa e as nuk kam dëgju më”, ka treguar ai.

Gavrica ka thënë për Kallxo.com se rasti ka ndodhur dje rreth orës 16:10.

Më tej ai ka thënë se ai së bashku me punëtorin tjetër janë në gjendje të mirë shëndetësore edhe pse kanë pësuar disa lëndime.

“Unë jam pak i shtypur por jam mirë, edhe shoku im është mirë veç pak është grrithë”, ka deklaruar Gavrica.

Punëtori i fermës, Arsim Gavrica është shprehur se 70 krerë të bagëtive janë vrarë nga ariu kurse 60 të tjera kanë arritur t’i shpëtojnë.

Edhe Gavrica dhe pronari i fermës, Ademi kanë treguar se kjo nuk është hera e parë që bagëtia kullotë në atë zonë.

“Gjithmonë kanë kullotur në atë pjesë bagëtia”, ka thënë Ademi për Kallxo.com. Ndërsa Gavrica ka deklaruar se kjo ka ndodhur për herë të parë dhe se kurrë më herët nuk e kanë parë ariun.

Krenar Ademi ka thënë se e ka lajmëruar rastin në Policinë e Kosovë.

KALLXO.com ka kontakuar me Policinë e rajonit të Prishinës në lidhje me këtë rast por ende nuk ka marrë ndonjë konfirmim.

Ai ka thënë se në fermën e tij ka 300 krerë dele dhe 200 qengja.