Avni Arifi | Foto: RTV 21

Arifi: Nuk e komentojmë letrën e Haradinajt meqë besoj që ende nuk ka mbërri te Mogherini

Avni Arifi, këshilltar i Kryeministrit dhe shef i delegacionit në bisedimet me Serbinë të nivelit teknik, ka thënë se nuk komentojnë përmbajtjen e letrës që përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini i ka dërguar Kryeministrit Ramush Haradinajt, e as letrën kthyese të këtij të fundit.

“… nuk mund ta komentojmë përmbajtjen e saj e as përmbajtjen që kryeministri Haradinaj ia ka kthy sepse nuk besoj se i ka mrri zonjës Mogherini, por çka mund të konstatojë është se Qeveria e Kosovës në asnjë mënyrë nuk kanë bërë asnjë ndryshim në politikën e saj, as ndaj taksës as ndaj qëndrimeve tjera që lidhen me statusin apo me gjitha temat aktuale për të cilat flasim”, ka shkruar Arifi në Facebook.

Sipas tij,  Qeveria e Kosovës pothuajse në baza ditore komunikon me Brukselin në forma të ndryshme, me letra, në formë telefonike apo edhe në takime të drejtpërdrejta.

“Në të gjitha takimet ka letra të rëndësishme ka dokumente të rëndësishme”.

Më herët, koha.net raportoi se Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, komisionerja për Tregti Cecilia Malmstrom dhe komisioneri Johannes Hahn në një letër të përbashkët drejtuar kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ofrojnë opsion për zgjidhjen e problemit të tarifave ndaj Serbisë.

“Ofrojnë mes tjerash që emërtimi “UNMIK” në CEFTA të zëvendësohet me “Kosova*”. Por kërkojnë që, si shenjë e vullnetit të mirë, para të hënës 17 dhjetor, kur në Bruksel zhvillohet takimi i Këshillit të MSA-së, Kosova përkohësisht të suspendojë zbatimin e vendimit për tarifën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”, thuhet në këtë letër të siguruar nga Koha.

https://kallxo.com/keshilltari-i-kryeministrit-flet-per-letren-qe-mogherini-i-ka-derguar-qeverise/