Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, Foto: KALLXO.com

Arifi: Kushtetuta e Kosovës mund të ndryshohet për ta votuar kërkesën e Luginës së Preshevës (VIDEO)

Në njërin nga nenet e Kushtetutës së Kosovës, aktit më të lartë të vendit potencohet se, “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”.

Por kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, në një intervistë për KALLXO.com ka deklaruar se Kushtetuta e Kosovës mund të ndryshohet me 2/3 e votave në mënyrë që deputetët ta votojnë draft-rezolutën e propozuar nga liderët e Luginës së Preshevës për bashkëngjitje me Kosovën.

Madje Arifi ka thënë është problemi i deputetëve nëse arrihet 2/3 për ta ndryshuar Kushtetutën, por sipas tij me rëndësi është që kjo mund të bëhet.

“Në rregull, kjo është problemi i këtyre, nuk është problemi im. Domethënë paska mundësi me ndryshu, në qoftë se i kemi 2/3 e votave i kemi, paska mundësi me ndryshu”, ka thënë Arifi për KALLXO.com.

Në pyetjen e KALLXO.com se ‘a e kuptoni që nëse miratohet një draft-rezolutë e tillë, secili deputet i Kosovës e shkel Kushtetutën e Kosovës’, kryetari i Preshevës është përgjigjur ‘a duhet me më shqetësu kjo mua’.

Arifi ka thënë se është duke pritur për të parë deputetët e Kuvendit të Kosovës për të parë nëse do ta votojnë draft-rezolutën apo jo.

Më poshtë mund ta gjeni një pjesë nga intervista e kryetarit të Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi në lidhje me mendimin e tij për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës:

Kallxo.com: E kemi borxh, po Kushtetuta e Kosovës thotë që Kosova nuk mundet me u bashku me asnjë shtet tjetër, çka i thoni kësaj?

Shqiprim Arifi: Kësaj i them se është Kushtetutë, kësaj i them që ka Parlament, kësaj i them që gjithçka është e mundur në mënyrë demokratike, që të përpunohet edhe Kushtetuta.

Kallxo.com: Kushtetuta e Kosovës duhet me u ndërru me 2/3 e deputetëve, duke përfshirë votat e deputetëve serbë. Kështu e kemi në Kushtetutë, a pritni që ideja juaj do të mund të kalojë në Kuvendin e Kosovës duke e pasur parasysh këtë Kushtetutë?

Shqiprim Arifi: Unë mendoj se nuk varet vetëm prej deputetëve serbë, varet një herë pikësëpari prej shqiptarëve.

Kallxo.com: Mirë, edhe në Kosovë ka pasur referendum për me shpallë Kosova shtet i pavarur por është dashtë edhe një herë me u shpallë pavarësia, është dashtë me kalu edhe nëpër një proces tjetër.

Shqiprim Arifi: Është një kundërpyetje, çka thonë partitë politike për referendumin e vitit 1992, çka thonë? Çka kanë me na thënë neve? A është legjitim ajo apo nuk është?

Kallxo.com: Kanë miratuar një kushtetutë e cila nuk parasheh bashkim me territore të tjera shqiptare.

Shqiprim Arifi: Ok, në rregull, ajo ka qenë e momentumit, nuk është diçka e cila nuk ndryshohet, nuk po e kuptoj, çka është problemi?

Kallxo.com: Nuk mundet me u ndryshu Kushtetuta e Kosovës pa 2/3 e votave.

Shqiprim Arifi: Në rregull, kjo është problemi i këtyre, nuk është problemi im. Domethënë paska mundësi me ndryshu, në qoftë se i kemi 2/3 e votave i kemi, paska mundësi me ndryshu.

Kallxo.com. Duhet edhe 2/3 e votave të serbëve.

Shqiprim Arifi: Po dakord, edhe unë këtë e thashë pak më herët, pikërisht, në qoftë se ne e kemi një Serbi më të re, më moderne në drejtim të BE-së…

Kallxo.com: A e kuptoni që nëse miratohet një draft-rezolutë e tillë, secili deputet i Kosovës e shkel Kushtetutën e Kosovës?

Shqiprim Arifi: E kuptoj, edhe, a duhet me më shqetësu kjo mua, a?

Kallxo.com: Por po kërkoni prej deputetëve të Kosovës me shkelë aktin më të lartë juridik të Kosovës?

Shqiprim Arifi: Jo nuk po e kërkoj, ne po kërkojmë thjesht një draft-rezolutë e cila e parasheh që Lugina e Preshevës në bazë të referendumit i cili nesër mundet me ndodhë, nesër mundet me ndodhë në Maqedoni, nesër mundet me ndodhë në Mal të Zi, nesër mundet me ndodhë gjithandej, mundet me i ndodhë edhe Serbisë nesër.

Kallxo.com: A e kuptoni që ka qenë angazhim ndërkombëtar me pakon e Ahtisaarit, i krejt Qeverisë së Kosovës, i krejt akterëve politikë të Kosovës fakti që këta nuk kanë pretendime territoriale ndaj asnjë shteti tjetër, edhe kjo po vendoset prapë në Kuvend?

Shqiprim Arifi: Edhe? Çka është tash problemi?

Kallxo.com: A pritni tash që deputetët me ngritë dorën edhe me shkelë Kushtetutën?

Shqiprim Arifi: Ta shohim çka po bëjnë. Mua po më intereson pikërisht kjo.

Intervistën e plotë të kryetarit të Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi për KALLXO.com mund ta gjeni në linkun e mëposhtëm.

Arifi: Ambasadat amerikane e gjermane në Beograd kundër ndryshimit të kufijve