Shkolla "Daut Bogujevci", Fushë Kosovë. Foto: Kallxo.com

Ardhja e nxënësve nga shkolla tjetër nuk u pëlqen nxënësve ‘vendorë’

Nxënësit e shkollës fillore “Daut Bogujevci” në Fushë- Kosovë kanë bojkotuar procesin mësimor për dy javë me radhë.

Arsyeja për këtë bojkot është se në objektin e ri të shkollës i cili ishte destinuar për ta janë vendosur nxënësit e shkollës “Mihal Grameno”.

Erkan Sulejmani, anëtar i këshillit të prindërve të shkollës “Daut Bogujevci” tha për KALLXO.com se përveç bojkotimit të mësimit, janë mbajtur edhe tri protesta.

“Kemi kërkuar që të gjithë nxënësit e shkollës tonë të kenë mundësi që procesin mësimor ta zhvillojnë në objektin e ri të shkollës “Daut Bogujevci”, i cili që nga fillimi i ndërtimit ka qenë i destinuar për nxënësit e shkollës sonë dhe banorët e kësaj lagje”, thotë Sulejmani.

Ai sqaron se Kuvendi Komunal i Fushë- Kosovës në korrik ka vendosur që objektin e ri të shkollës t’ia japë për shfrytëzim shkollës fillore  “Mihal Grameno”.

“Pas protestave dhe bojkotit tonë më pastaj e bën edhe një vendim tjetër i cili është i papranueshëm për neve si prindër që vetëm paralelet prej klasës së parë deri në klasën e pestë të mund të zhvillojnë mësimin në objektin e ri, ndërsa paralelet tjera të vazhdojnë mësimin në objektin e vjetër”, thotë Sulejmani për KALLXO.com.

Sulejmani thotë se këshilli i prindërve nuk është kundër t’u bëhet zgjidhje nxënësve të shkollës “Mihal Grameno” por, sipas tij, zgjidhje duhet të bëhet edhe për fëmijët e tyre.

Ai shtoi se kanë propozuar që shkollës “Daut Bogujevci” t’i jepet njëri prej dy ndërrimet ndërsa ndërrimin tjetër ta kenë nxënësit e shkollës “Mihal Grameno”.

Por drejtori i shkollës, Sabri Xhigoli thotë se objekti i shkollës është i vjetër dhe në të ka mungesë mungesë të hapësirës.

“Momentalisht jemi keq me hapësirat. Duhet ta pranoj se shkolla nuk posedon asnjë ambient për mësim në kabinet, madje kemi dhoma mësimi që janë rreth 20 metra katrorë, në të cilin janë të vendosur mbi 30 nxënës”, tregon Xhigoli.

Drejtori thotë se i përkrah prindërit në çdo kërkesë që ka të bëjë më kushtet infrastrukturore në shkollë.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Fushë- Kosovë, Islam Shabani tha për KALLXO.com se kanë qenë të detyruar të bartin ciklin e lartë të shkollës “Mihal Grameno” për shkak të numrit të madh të nxënësve.

“Të gjitha klasës e shkollës “Mihal Grameno”, nga klasa 6-9, kanë numër më të madh të nxënësve se klasat e shkollës “Daut Bogujevci” dhe nuk ka mundësi që ato klasë të mësojnë në këtë shkollë. Ne kemi bërë një zgjidhje që  klasat 1- 5 të shkollës “Daut Bogujevci” të mësojnë në objektin e shkollës së re, në të dy ndërrimet bashkë me nxënësit e “Mihal Gramenos”. Nxënësit e shkollës “Daut Bogujevci” do të mësojnë në katin e parë, kurse nxënësit e “Mihal Grameno”-” në katin e dytë”, tha Shabani për KALLXO.com.

Ndërsa, për ndarjen e shkollës përmes një thurjeje, drejtori i arsimit thotë se arsyeja e ndarjes është se shkollat duhet të jenë të ndara me hyrje te veçanta dhe se nuk mund të lejojnë që qytetarët të kalojnë nëpër oborrin e shkollës dhe ta shndërrojnë në rrugë.

Shabani tha se shpreson se punimet do të përfundojnë brenda shtatë ditëve.