Foto: Policia e Shqipërisë

Arbër Çekaj, i shumëkërkuari i kokainës së Durrësit arrestohet në Gjermani

Pronari i kompanisë Arbri Garden, Arbër Çekaj, në magazinat e të cilit në fund të shkurtit u kapën 613 kilogramë kokainë kolumbiane, u arrestua nga policia gjermane dy muaj pasi u shpall në kërkim dhe pritet të ekstradohet në Shqipëri.

Arbër Çekaj, personi të cilit iu kap sasia më e madhe e kokainës e sekuestruar ndonjëherë në Shqipëri, u arrestua në Gjermani të premten më 4 maj në një zonë pranë Dyseldorfit në Gjermaninë Perëndimore pasi policia shqiptare e kishte shpallur në kërkim dy muaj më parë si përgjegjës për importimin në Shqipëri të një sasie rekord prej 613 kilogramësh kokainë, me vlerë 180 milionë euro sipas vlerësimeve të policisë shqiptare.

Në një njoftim për shtyp, policia tha se lokalizimi i vendndodhjes dhe arrestimi i tij u mundësua nga bashkëpunimi me agencitë ligjzbatuese gjermane.

“U shkëmbye informacion në kohë rekord midis Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera si dhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda,” njoftoi policia.

Emri i Çekajt u bë i njohur për publikun pasi një konteiner me banane i nisur nga Kolumbia mbërriti më 19 shkurt 2018 në Shqipëri dhe u mbajt nën vrojtim nga policia shqiptare deri sa kompania porositëse kreu procedurat doganore dhe e tërhoqi atë për në magazinat e kompanisë.

Policia e mbajti nën vrojtim kamionin që transportoi kontejnerin dhe bëri bllokimin e magazinës së kompanisë pranë autostradës Tiranë-Durrës ku u arrestuan dy vetë dhe u sekuestrua kokaina.

Vetë pronari i firmës ishte larguar nga Shqipëria pak ditë para operacionit dhe qëndroi i fshehur në Gjermani deri sa u arrestua të premten.

Policia shqiptare dhe kryeministri Edi Rama u mburrën me kapjen e kësaj sasie rekord droge, ndërsa opozita ngriti pikëpyetje nëse policia kishte gjetur porositësit e vërtetë të kësaj sasie të stërmadhe.

Ambasada e SHBA dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri e lavdëruan policinë për operacionin, ndërsa SHBA theksoi shqetësimin se kapja e një sasie kaq të madhe kokaine tregon edhe përmasat e stërmëdha të këtij aktiviteti ilegal në Shqipëri.

Policia dhe prokuroria shqiptare nuk ka bërë të ditur nëse ka zbuluar bashkëpunëtorë të tjerë përveç shoferit dhe punonjësit të arrestuar si dhe pronarit të kompanisë.

Kultivimi dhe trafiku i drogës nga Shqipëria si dhe nga grupet kriminale shqiptare apo me baza në Shqipëri është bërë një shqetësim në rritje i agjencive lizgjatuese të vendeve europiane.

Kriminelët shqiptarë janë arrestuar në një larmishmëri vendesh, nga Greqia e Italia në Spanjë, Holandë e Gjermani pasi janë gjetur të përfshirë në trafiqe të përmasave të mëdha si të marijuanës së prodhuar në Shqipëri, ashtu edhe të heroinës e kokainës.

Qeveritë shqiptare janë kritikuar vazhdimisht gjatë dekadës së fundit për një lloj tolerance ndaj aktiviteteve kriminale dhe raporte të ndryshme, përfshirë Raportin e Progresit të Komisionit Europian, kanë bërë thirrje për sekuestrimin dhe konfiskimin e pronave të vëna me fitimet e aktiviteteve kriminale.

Shqipëria ka konfiskuar disa prona të tilla gjatë viteve të fundit, por Komisioni Europian nuk shprehet i bindur se Shqipëria ka krijuar një histori të mirëfilltë të sekuestrimit të këtyre pronave.

Marrë nga reporter.al