Arbana Xharra gjatë aderimit në PDK - Foto: Facebook

Arbana Xharra për 3 muaj këshillim mori 5,191 euro

Ish gazetarja Arbana Xharra, si këshilltare e kryeparlamentarit Kadri Veseli ka pagën neto prej 1 mijë e 731 euro për muaj, shkruan KALLXO.com.

Nëse përkthehet në bruto, paga mujore e Arbana Xharrës është 1 mijë e 999 euro e 11 cent (1,999.11 Euro).

Në deklarimin e pasurisë këtë vit në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ajo ka deklaruar pagat e marra për 3 muajt e fundit të vitit 2017 që arrijnë vlerën e 5 mijë e 194 euro, gjithnjë në neto.

Ndërsa në formularin e dorëzuar në tetor të vitit të kaluar, kur e kishte marrë pozitën e këshilltares, Xharra kishte deklaruar pagë prej 1,512 euro neto.

Ndërsa mëditje ajo ka deklaruar se për muajt tetor, nëntor e dhjetor ka marrë vetëm 191 euro e 50 cent.

E para të gatshme të deklaruara në bankë, Arbana Xharra ka deklaruar 510 euro, ndërsa të bashkëshortit ka deklaruar 380 euro para të gatshme.

Xharra që dikur ishte gazetare posedon dy banesa në pronësi të përbashkët me bashkëshortin e saj.

Ajo ka deklaruar dy banesa, njërën 102 metra katrorë me vlerë 102 mijë euro dhe tjetrën 88 metra katrorë me vlerë prej 96 mijë e 800 euro.

Këshilltarja e Veselit, Xharra është duke paguar kredi në vlerë prej 10 mijë euro, ndërsa edhe bashkëshorti i saj ka kredi për të paguar me vlerë prej 27 mijë euro.

Shënim: Artikulli është korrigjuar për t’ia përputhur linkun e deklarimit të parë dhe të dytë të pasurisë..