Arbana Xharra gjatë aderimit në PDK - Foto: Facebook

Arbana Xharra Del nga Spitali

Arbana Xharra që në orët e para të së shtunës u sulmua para banesës së saj duke pësuar lëndime serioze është lëshuar nga QKUK-ja për trajtim shtëpiak.

Lajmin për lirimin e Xharrës e ka bërë të ditur për KALLXO.com Qendra Emergjente ku ajo është trajtuar.

“Arbana Xharra është pranuar më lëndime të kokës e të shpatullës. Pas trajtimit është lëshuar për trajtim të mëtutjeshëm në shtëpi”, thuhet në përgjigjen për KALLXO.com të dhënë nga Qendra Emergjente.

Në prill të këtij viti, para derës së banesës së Xharrës ishte vizatuar me ngjyrë të kuqe një simbol në formë të kryqit, ndërsa atëherë për këtë akt kishte reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke kërkuar që të hetohet ky kërcënim.

http://kallxo.com/agk-kerkon-nga-policia-te-hetohet-kercenimi-ndaj-arbana-xharres/

Më 9 maj Xharra u bë pjesë e Partisë Demokratike  të Kosovës, ndërsa sulmi ndaj saj ndodhi katër ditë pas këtij aderimi.

http://kallxo.com/arbana-xharra-aderon-ne-pdk-per-ta-kritikuar-edhe-nga-brenda/

Pas sulmit ndaj Xharrës ka pasur reagime.

Kryeministri në detyrë Isa Mustafa ka kërkuar që sulmuesit e Xharrës të vihen para drejtësisë.

“Sulmi mbi Arbana Xharrën është akt i ulët dhe i turpshëm. Kryerësit duhet të sillen para drejtësisë”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Enver Hoxhaj, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe nënkryetari i PDK-së po në Facebook ka shkruar se është “thellësisht i tronditur nga sulmi qyqar ndaj Arbana Xharrës. I shokuar nga ajo që mund t’i ndodhë një gruaje, një nëne dhe mbi të gjitha një aktiviste të guximshme në tërë këto vite që nuk ka hezituar t’i thotë hapur dhe pa frikë gjërat të cilat i mendon”.