Ilustrim

AQP nënshkruan kontratë 5 milionëshe me procedura urgjente

Agjencia Qendrore e Prokurimit ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 4.8 milionë eurove me procedura urgjente.

Dy kompanitë fituese të kontratës për furnizim me karburante janë “Hib Petrol” dhe “Al Petrol”.

Kjo kontratë është konsideruar urgjente dhe është nënshkruar brenda 10 ditëve.

Tenderi është inicuar më 4 shkurt 2019, kurse kontrata është nënshkruar më 14 shkurt. Për të është përdorur procedura e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.    

Kontrata është nënshkruar me urgjencë pas vonesave që janë shkaktuar nga inicimi i këtij tenderi me procedura normale për shkak të ankesave që janë deponuar në OShP nga operatorët e pakënaqur.

“Aktiviteti i prokurimit me procedurë normale është në fazën ankimore në OShP-së dhe AQP ka zhvilluar këtë aktivitet siç parashihet me LPP, për një periudhë të shkurt kohore”, thuhet në përgjigjen e AQP-së për KALLXO.com.

AQP ka lidhur kontratë me kompanitë fituese në vlerë prej 4.8 milionë euro.

Fillimisht janë vlerësuar se katër operatorë ekonomik kanë qenë të përgjegjshëm për këtë tender. Por pas negocimit, “Hib Petrol” dhe “Al Petrol, ishin të vetmet kompani që kishin pranuar që në një litër karburant të kenë fitim 0.01 euro.

Të dy kompanitë fituese kanë pranuar që të kenë fitim 50.3 mijë euro nga tenderi 4.8 milionësh i AQP-së.

“Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se pas negociatave ju jeni shpërblyer me kontratë sipas kushteve dhe çmimit të cilin e kemi arritur gjatë negociatave, 0.01 euro për litër”, thuhet në letrën standarde të AQP-së për “Hib Petrol” dhe “Al Petrol”.

Kurse dy kompanitë të cilat janë vlerësuar si të pasuksesshme janë “IP – Kos” dhe “Fer Petrol”.

“IP – Kos” nuk kishte pranuar të ishte pjesë e kontratës me çmimin prej 0.01 euro për litër duke e ngritur çmimin në 0.04 euro për litër dhe me këtë rast AQP e ka refuzuar ofertën. Kurse “Fer Petrol” nuk ka pranuar të jetë pjesë e kontratës me çmimin prej 0.01 euro për litër.

Në platformën e “E-prokurimit” nuk është praktikë që dy operatorë ekonomik të shpërblehen me kontrata. Për këtë arsye te njoftimi për nënshkrimin e kontratës, si operator fitues është publikuar vetëm “Hib Petrol”.

Ndërsa tek pjesa “numri i kërkesave për tërheqje të dosjes së tenderit” tek njoftimi për nënshkrimin e kontratës theksohet se janë dy kompani fituese dhe me të drejta të barabarta.

“Kjo kontratë është kontratë urgjente për të cilën është përdorur procedura e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Me këtë kontratë pas negociatave janë shpërblyer dy operatorë ekonomik “HIB PETROL SH.P.K.”, dhe “AL-PETROL SH.P.K.”, Fushe Kosove, VRAGOLI, me çmim të njëjtë prej 0.01 euro për litër dhe me të drejta të barabarta. Në sistemin e e-prokurimit nuk është e mundur të shpërblehen dy operatorë ekonomik dhe kjo është arsyeja e vetme që figuron vetëm “HIB PETROL SH.P.K.”, thuhet në njoftimin për nënshkrimin e kontratës.

Ofertat për këtë tender janë sjellë nga 50.3 mijë euro të ofruara nga “Hib Petrol” dhe “Al Petrol”, 201.2 mijë euro ka pasur vlerën oferta e “IP – Kos” kurse “Fer Petrol” ka ofruar një ofertë me çmim prej 452.8 mijë euro.