Aprovohet me Rritje Buxheti i Vonuar i Komunës së Lipjanit

Komisioni për Buxhet dhe Financa aprovoi buxhetin e vonuar të Komunës së Lipjanit për vitin 2018.

Buxheti me 1.6 milionë euro më shumë u aprovua duke u bazuar në praktikat e kaluara pa pasur nevojë të dërgohet në seancën e Kuvendit pasi është brenda kufijve të Ligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018.

Ministri i “kuletës së shtetit” Bedri Hazma para anëtarëve të komisionit tha se qeveria e ka miratuar buxhetin e Komunës së Lipjanit, pasi kuvendi i kësaj komune nuk arriti ta miratojë atë brenda afateve të caktuara.

“Qeveria e Kosovës në mbledhjen e datës 12.01.2018 e ka miratuar buxhetin e Komunës së Lipjanit duke pasur parasysh se Komuna e Lipjanit nuk ka arritur brenda afateve të rregullta ta aprovojë buxhetin e saj”, tha Hamza.

Më tej Hamza tha se buxheti i kësaj komune do të jetë për 1.6 milionë euro më i lartë se vitin e kaluar.

“Me datën 18.12.2017 Komuna e Lipjanit e ka aprovuar buxhetin duke pas parasysh këtë situatë Qeveria e Republikës së Kosovës ka vepruar me kushtet që parashihen me nenin 62 pika 4 të Ligjit për Menaxhimin për Financat Publike dhe Përgjegjësitë. Me këtë Buxheti i Komunës së Lipjanit për vitin 2018 bëhet 15 milionë 631 mijë e 989 euro nga 14 milionë e 25 mijë e 258 euro sa ka qenë në vitin 2017. Pra bëhet fjalë për një ndryshim për 1 milion e 606 mijë e 731 euro“, tha Hamza.

Kjo pikë e këtij neni parashikon se cila është rruga e ndjekur për miratim të një buxheti komunal, nëse ai nuk miratohet nga ajo komunë.

Në komision u tha se raste të ngjashme të miratimit të buxheteve komunale në komision kanë ndodhur në vitin 2015 dhe 2016.

Komisioni në ato vite kishte shqyrtuar buxhetet e Komunës së Prishtinës, Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Gllogovcit dhe Kllokotit.

Praktikë e njëjtë pritet të zbatohet edhe për dy komuna tjera të cilat nuk e kanë aprovuar me kohë buxhetet e tyre.