Apostolova e Sheh Kosovën të Papërgatitur për të Aplikuar për Statusin Kandidat në Fund të Vitit

Ministrja e Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha, shfaqi sot planet e qeverisë së Kosovës që të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkim Europian deri në fund të vitit, por Përfaqësuesja Speciale e Bashkimit Europian në Kosovë, Natalia Apostolova, shfaqi dyshime nëse Kosova së brendshmi është e përgatitur për ta bërë këtë.

“Kosova do të aplikojë në fund të vitit 2018 duke ndërtuar një momentum dhe duke bërë reforma të prekshme. Tani kemi dy vite të Marrëveshjes Stabilizim Asocimit dhe besoj që do t’ia dalim edhe pse kemi sfida siç është edhe njohja nga 5 vendet”, tha ministrja Hoxha duke iu referuar shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Por përtej pengesave politike, sipas kryediplomates europiane në Kosovë, vendi ka ende punë për të bërë së brendshmi në aspektin e sundimit të ligjit.

“Mund ta kuptoj propozimin për aplikim të statusit kandidat por për fat të keq Kosova është demokracia më e re, keni filluar impelmentimin e reformave me vonë”, tha Apostolova gjatë një debati të organizuar nga Forumi Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) rreht procesit integrues për Kosovën.

“Ka shumë për t’u bërë në sundimin e ligjit. Qeveria po punon dhe e mbështes entuziazmin e tyre pas një bllokade politike por të shohim sa ligje kanë kaluar në kuvend, të shohim çka po ndodh me disa të emëruar ne institucione. Ka të emëruar politikë, ka njerëz që janë larguar nga puna, ka kontrata mbi vepër dhe e gjithë kjo është kundër reformave të BE-së. Po flasim për korrupsion, nepotizëm. Ende e dimë që kjo administratë nuk ka reforma”, tha Natalia Apostolova.

“Ju lutem mos i pranoni fjalët e mia kundër jush”, shtoi ajo.

“Ende kemi agjenci të shumta ku bordi emërohet në mënyrë jotransparentë apo kemi ankesa nga ata që e kanë humbur punën dhe po ashtu kemi rekrutime pa konkurruar. Korrupsioni ka shumë fytyra”, tha Apostolova.