Apostolova në takim me përfaqësues të VV-së | Foto: KALLXO.com

Apostolova: Demarkimi me Serbinë të Zgjidhet me Dialog

Në ndërtesën e Kuvendit teksa u takua me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostolova foli edhe për demarkacionin e Kosovës me Serbinë, pasi u pyet nga një gazetar në lidhje me këtë proces.

“Me Malin e Zi demarkimi duhet të zgjidhet në Kuvendin e Kosovës, e ai me Serbinë duhet të zgjidhet me dialog”, tha Apostolova.

Shefja e Zyrës së BE-së më tutje u tha bashkëbisedueve nga Vetëvendosja “se vetëm me dialog mund të kuptohemi”.

“Jam për dialog të hapur siç e kemi nisur sot, ngase vetëm me dialog mund të kuptohemi. Pres të jeni konstruktivë dhe kam parë që keni mendim shumë të fuqishëm në disa çështje. Në numër të madh kemi qëndrim të njëjtë”, tha Apostolova.

Ajo pastaj tregoi një rast konkret ku qëndrimet e zyrës që drejton janë identike me VV-në.

“Para një viti kemi nisur kampanjën për financimin e partive politike dhe transparencën e tyre, këtu kemi qëndrim të njëjtë”, tha Apostolova.

Vitin e kaluar Apostolova kishte kërkuar nga subjektet politike që t’i publikojnë financat e tyre dhe që ato financa të auditohen.

Financat e saj i kishte publikuar vazhdimisht Vetëvendosja, ndërsa disa subjekte tjera nisëm t’i bëjnë publike pasqyrat financiare vetëm pas kërkesave nga Apostolova.

http://kallxo.com/kerkohet-te-dihet-si-po-financohen-partite/

Takimin me Apostolovën e vlerësoi të frytshëm shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca.

“Ishte takim i frytshëm. Prania e BE-së do të na ndihmojë të kemi Kuvend më të përgjegjshëm e demokraci më të zhvilluar”, tha Konjufca.

Albulena Haxhiu u ankua se Qeveria Haradinaj po e shpërfill Kuvendin, ndërsa shprehu brengosje për varjen e kësaj qeverie nga votat e Listës Serbe.

Ndërsa Apostolova tregoi që Zyra e BE-së ka kërkuar nga GIZ-i një raport për situatën në arsimin kosovar, i cili tregoi se pritet të publikohet në dhjetor.