Apostolova: Asistenca Financiare e BE-së në Arsim Mund të Ndërpritet

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë sot në diskutimin e raportit për “Planin Strategjik për Arsimin në Kosovë 2017” të Qendrës për Arsim të Kosovës bashkë me tri OJQ të tjera se fondet e BE-së për arsim mund të ndërpriten nëse nuk merren hapa për përmirësimin e gjendjes së arsimit.

“Po punojmë së bashku në bërjen e një plani të veprimit, që i përfshin veprimet më urgjente që duhet të ndërmerren. Dështimi për të dëshmuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për ta përmirësuar cilësinë e arsimit në përgjithësi s’do të na linte mundësi tjetër përveç rikonsiderimin e mbështetjes financiare të BE-së. E mendoj se kjo duhet të bëhet shumë e qartë se nëse në të vërtetë nuk ka reforma që ne duam të presim rregullat e procedurat e BE-së nuk na lejojnë të shpërndajmë fonde”, tha ajo.

Gjithashtu, ajo u shpreh e zhgënjyer me rezultatet e PSAK 2017.

Apostolova shtoi se duhet të ketë reformë në administratën publike në të cilën punëtorët e administratës por edhe mësimdhënësit hierarkizohen në bazë të pagës së tyre.

Shefja e Zyrës së BE-së tha se kjo është reformë e rëndësishme në administratën publike dhe duhet të ndodhë përmes një “procesi transparent” dhe kategorizim që bazohet “në sistem të meritave”.

Ajo tha se reformat në arsim janë shumë të rëndësishëm që kosovarët të jenë konkurrentë në tregun europian.

“E kam përsëritur disa herë se në mënyrë që Kosova të ketë gjasa (të bëhet) pjesë e tregut unik europian popullata e re e Kosovës duhet të jetë e pajisur me aftësi e arsim në mënyrë që të konkurrojë e të ketë sukses në garën (konkurrencën) europiane. Sepse Kosova do të jetë anëtarë i BE-së një ditë”, tha shefja e Zyrës së BE-së.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, nuk u tregua shpresëdhënës për progresin e arsimit.

“Kini parasysh se unë jam një ministër i Arsimit ku Qeveria e Kosovës dhe politika në Kosovë nuk e ka prioritet arsimin. I ka shumë më prioritet temat e tjera politike sesa temën e arsimit”, tha ai.
Ndërkaq, Bytyqi e mbrojti vendimin për shkarkimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit.

“Ne në shumicën e rasteve dëgjojmë diskutime, vërejtje nga institucione të ndryshme, organizata të ndryshme që arsimi është i politizuar. Konsideroj që janë vërejtje të zakonshme dhe me vend, por megjithatë ndërtimi i sistemi të arsimit është asisoj që institucioni i Ministrisë së Arsimit të ndërhyjë me anë ligjore dhe të quhet pastaj edhe ndërhyrje legale edhe politike. Në njëfarë mënyre edhe unë jam ministër i arsimit i vendosur me ligj, politikisht”, tha ai.

Bytyqi tha se pjesëmarrja e fëmijëve në arsimin parashkollor është në nivel problematik.
Ndërkaq në lidhje me pjesëmarrjen e ulët të komuniteteve rom, ashkali, dhe egjiptian, ai tha se do të ketë përmbyllje të planit legjislativ për përfshirjen e komuniteteve pakicë.

“Ne jemi të zotuar si ministri që gjysmën e këtij viti duhet ta mbyllim infrastrukturën ligjore për pjesëmarrjen e komuniteteve në shkolla dhe duhet t’i krijojmë kushtet sa më parë. Konsideroj që ka një gatishmëri të madhe edhe të partnerëve që të na ndihmojnë”, deklaroi ministri.

Ministri i Arsimit theksoi se shpreson të merren veprime në mënyrë që drejtorët e shkollave të mos jenë menaxherë të qendrave të votimit gjatë zgjedhjeve.

“Kyçi i zgjidhjes së këtij problemi (politizimit të arsimit parauniversitar) është te drejtorët…  Do ta bëjmë një përpjekje që të arrijmë një gjuhë të përbashkët që së paku drejtorët t’i eliminojmë nga të qenët menaxherë në kohën e zgjedhjeve”, tha ai.
Gjatë kësaj tryeze foli edhe deputeti dhe anëtari i Komisionit Parlamentar për Arsim nga Lëvizja Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, i cili e theksoi problemin e “jetësimit të ligjeve”.