Apeli ua zbuti dënimet zyrtarëve të AKP-së

Rreth tre muaj pasi që Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte gjetur fajtor dhe dënuar për marrje ryshfeti, dy zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit u është ndryshuar kualifikimi juridik i veprave dhe si rrjedhojë u janë zbutur dënimet.

Fevzi Hajdari dhe Taulant Tahirsylaj ishin dënuar nga Themelorja në Prishtinës me dënim me burg efektiv, respektivisht me kusht dhe me gjobë.

Hajdari ishte dënuar me 2 vjet burg dhe 25 mijë euro gjobë ndërsa Tahirsylaj me 6 muaj burg me kusht dhe 4 mijë euro gjobë.

Ndaj këtij vendimi ankesa kishin paraqitur si Prokuroria që kishte kërkuar dënimin e të akuzuarve edhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe mbrojtësit e të akuzuarve që kishin kërkuar rigjykimin e kësaj çështje apo lirimin nga akuza.

KALLXO.com ju sjell arsyetimin e Apelit në lidhje me këtë rast.

Gjykata e Apelit i gjeti të mbështetura pretendimet e mbrojtjes duke ndryshuar aktgjykimin e Themelores ashtu që në veprimet e Fevzi Hajdarit qëndrojnë elementet e veprës penale të mashtrimit ndërsa në veprimet e Tahirsylajt vepra e mashtrimit ka mbetur në tentativë.

Si rrjedhojë, Apeli ka ndryshuar vendimin e Themelores mbi dënimin duke I caktuar Hajdarit 8 muaj burg dhe 6 mijë euro gjobë si dhe Tahirsylajt 6 muaj burg me kusht dhe 2 mijë euro gjobë ndërsa dënimin me kusht vlen për një periudhë verifikimi prej 1 viti.

“Kjo gjykatë (Apelit) nuk pranoi gjetjet e gjykatës së shkallës së parë pasi që për të ekzistuar vepra penale e marrjes së ryshfetit kërkohet që personi zyrtar duhet të veprojë ose mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare”, thuhet në vendimin e Apelit.

Më tej, në vendim thuhet se për të ekzistuar kjo vepër duhet patjetër që marrja e ryshfetit të jetë e ndërlidhur me veprimin e personit zyrtar dhe të të manifestohet kryerja apo moskryerja e një veprimi që duhej të kryer respektivisht mos-kryer .

“Në rastin konkret është pikërisht kjo pasi që nga shkresat e lëndës dhe provat e administruara shihet se shuma e mjeteve të marruara nga i akuzuari i parë Fevzi Hajdari dhe të kërkuara nga i akuzuari i dytë Taulant Tahirsylaj janë marrë për të rregulluar një çështje në një institucion tërësisht tjetër e që nuk hyn fare në kompetenca dhe autorizime të akuzuarve pasi që të njëjti nuk punojnë në institucionin e ATK-së dhe as që kanë ndonjë raport me këtë institucion në aspektin e lidhjes institucionale”, thuhet në vendimin e Apelit që e posedon KALLXO.com.

Në vendimin e Apelit thuhet se në veprimet e të akuzuarve janë gjetur elemente të veprës penale të mashtrimit.

“Sa i përket të dy të akuzuarve veprimet inkriminuese që dalin nga shkresat e lëndës i përkasin veprës penale të mashtrimit pasi që të akuzuarit me paraqitjen e rreme të fakteve, fshehjes së tyre me qellim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete e kane mashtruar të dëmtuarin z. Misisni duke i premtuar se do t’ia heqin barrën tatimore në ATK duke e ditur se një gjë e tillë nuk është e mundur”, thuhet në vendimin e Apelit.

Hajdari e Tahirsylaj ishin dënuar edhe në korrik të vitit 2017 ndërsa pas ankesës, Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Hajdari e Tahirsylaj akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje e ryshfetit teksa i kishin premtuar të dëmtuarit Ramush Misini se do t’ia heqin barrën tatimore në një pronë që e kishte blerë nga AKP-ja dhe për këtë sipas aktakuzës, i kishin kërkuar 20 mijë euro.

Për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare të akuzuarit ishin liruar nga Gjykata Themelore ndërsa Apeli ka refuzuar ankesën e Prokurorisë në lidhje me këtë pikë të akuzës.