Policia e trafikut. Foto: Kallxo.com

Apeli ua përgjysmon dënimet 4 policëve të dënuar për marrje ryshfeti

Në fillim të vitit 2019, pas ankesave të të akuzuarve, Gjykata e Apelit ua ka përgjysmuar katër zyrtarëve policorë dënimet që u ishin shqiptuar nga Gjykata e Prizrenit.

Neshat Avdaj, Driton Bajrami, Myzafer Sylejmani ishin dënuar me dënim me gjobë në lartësi prej 12.000 eurove, ndërsa i akuzuari Binak Bytyqi ishte dënuar me gjobë në shumën prej 13.000 euro.

Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, avokatëve Skënder Morina, Asman Hoxha, Bashkim Nevzati dhe Rexhep Hasani, vetëm sa i përket lartësisë së dënimit, kurse e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë në Prizren, e cila kishte kërkuar që ndaj të akuzuarve të shqiptohen dënime më të larta.

Apeli ka konsideruar se Gjykata e Prizrenit me rastin e shpalljes së aktgjykimit nuk kishte vlerësuar siç duhet rrethanat lehtësuese ndaj të akuzuarve, prandaj ka vendosur që të zbusë dënimet e shqiptuara ndaj tyre.

Kështu, të akuzuarve Neshat Avdaj, Driton Bajrami dhe Myzafer Sylejmani që nga shkalla e parë ishin dënuar me nga 12 mijë euro gjobë, Apeli ua ka zbutur dënimet në 5.500 euro, për secilin prej tyre.

Ndërsa, i akuzuari Binak Bytyqi që nga shkalla e parë ishte dënuar me 13 mijë euro gjobë, pas vendimit të Apelit do të duhet të paguajë gjobën në lartësi prej 6.500 euro.

Prokuroria e Prizrenit i ngarkonte të akuzuarit se gjatë periudhës gusht-nëntor 2016, duke vepruar si policë trafiku, drejtpërdrejt kanë kërkuar dhe marrë ryshfet në të holla.

Të akuzuarit ngarkoheshin se këto para i kanë marrë nga shkelësit e rregullave të trafikut, në shuma të ndryshme, duke filluar prej 10 e deri në 100 euro, në mënyrë që të mos u shqiptojnë gjobat kundërvajtëse.

https://kallxo.com/4-policet-e-akuzuar-per-marrje-ryshfeti-dalin-para-gjyqit/

Tre zyrtarët policorë Neshat Avdaj, Driton Bajrami dhe Muzafer Sylejmani në dhjetor të vitit 2018 ishin dënuar me dënim me gjobë nga 4,000 euro dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj. Që të tre të akuzuarit kishin pranuar fajësinë për veprat penale që akuzoheshin.

Ndërsa Binak Bytyçi ishte dënuar me dënim me gjobë 5.000 euro dhe dënim më burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh.

Katër të akuzuarit kishin kërkuar që dënimi me burgim t’i zëvendësohej me dënim me gjobë, dhe trupi gjykues kishte aprovuar propozimet e tyre për zëvendësimin e dënimit me burgim në dënim me gjobë.

Kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi kishte marrë vendim për të aprovuar propozimet e të akuzuarve dhe dënimet me burgim iu ishin zëvendësuar me dënim me gjobë në shumat prej 8,000 euro. Përfundimisht të akuzuarve Neshat Avdajn, Driton Bajramin, Myzafer Sylejmanin, iu ishte shqiptuar dënim unik me gjobë në shumën prej 12.000 euro.

Ndërsa të akuzuarit Binak Bytyçi i ishte shqiptuar dënim unik me gjobë në shumën prej 13.000 euro.

Ky rast ishte kthyer në rigjykim, pasi që fillimisht Gjykata e Prizrenit në nëntor të vitit 2017 i kishte dënuar 3 nga 4 zyrtarët policorë të akuzuar për marrje ryshfeti.

Binak Bytyçi ishte shpallur i pafajshëm nga trupi gjykues, ndërsa të akuzuarit tjerë Neshat Avdaj, Driton Bajrami e Myzafer Sylejmani kishin pranuar fajësinë për veprat penale sipas aktakuzës.

Gjykata e Prizrenit pasi që Policët kishin pranuar fajësinë, të akuzuarin Neshat Avdaj e kishte dënuar me një vit burgim efektiv dhe dy mijë euro gjobë, ndërsa të akuzuarit  Driton Bajrami dhe Myzafer Sylejmani, ishin dënuar me nga tetë muaj burgim efektiv dhe me nga 1.500 euro gjobë.

Me 29 mars 2018, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e Prokurorisë së Prizrenit dhe mbrojtësve të të akuzuarve Bajrami dhe Sylejmani, duke kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje.

Sipas vendimit nga Apeli, rasti ishte kthyer në rigjykim për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, zbatimi i gabuar i ligjit penal dhe kundërthënieve në mes dispozitivit dhe arsyetimit.

Në vendimin e Apelit thuhet se gjyqtari i shkallës së parë ka liruar njërin prej të akuzuarve duke pretenduar se masat e fshehta nuk janë zbatuar në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, mirëpo gjatë arsyetimit thirret në provat që kanë dalë si pasojë e atyre masave të fshehta.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte transmetuar pamje ekskluzive të policëve gjatë patrullimeve në rrugë, duke marrë ryshfet nga shoferët.

www.kallxo.com