Gjykata e Apelit shqyrton rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt. Foto: Kallxo.com

Apeli shqyrton rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt, protestë para gjykatës

Familjarët e Donjeta Pajazitaj i kërkojnë Gjykatës së Apelit që të sjellë drejtësi mbi rastin e vrasjes së bijës së tyre.

Kolegji i Gjykatës së Apelit sot shqyrtoi ankesën e Prokurorisë në lidhje me vrasjen e Donjeta Pajazitaj.

Donjeta Pajazitaj ishte gjetur e vdekur në bjeshkët e Strellcit të Deçanit në dhjetor të vitit 2015, gjashtë javë pasi ishte raportuar e zhdukur nga familjarët.

Gjykata Themelore në Pejë në mars të këtij viti e ka shpallur të pafajshëm Naser Pajazitajn nën akuzën për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Kurse për veprën penale të armëmbajtjes pa leje të njëjtit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 2 vjet e 4 muaj.

https://kallxo.com/gjykata-merr-vendimin-per-rastin-e-vrasjes-se-donjeta-pajazitajt/

Kundër aktgjykimit të Gjykatës së shkallës së parë ankesë kishte paraqitur prokurorja e rastit Valbona Disha-Haxhosaj.

Në ankesën e saj drejtuar Gjykatës së Apelit, prokurorja e rastit aktgjykimin e ankimon për faktin se sipas prokurores me rastin e marrjes së vendimit Gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar gabimisht gjendjen faktike.

Në ankesë thuhet se Gjykata Themelore në Pejë ka vepruar gabimisht me rastin e faljes së besimit deklaratave të dëshmitareve Dushe dhe Arjeta Pajazitajt të cilat njëherësh janë bashkëshortja dhe e bija e të akuzuarit Naser Pajazitaj.

“Me rastin e marrjes së aktgjykimit Gjykata Themelore në Pejë i ka falë besimin dëshmitares Dushe Pajazitaj, bashkëshortes së të akuzuarit e cila ka dëshmuar se i akuzuari me datën 9 nëntor së bashku me vajzën e tij kanë dalë nga shtëpia dhe janë kthyer e që është në kundërshtim me deklaratën e të bijës së tij që ditën që është zhdukur Donjeta ajo ka thënë se nuk ka dalë nga shtëpia por më pas këtë deklaratë e ka ndryshuar në prokurori”, thuhet në ankesën e Prokurorisë.

Me anë të kësaj ankesë prokurorja Disha-Haxhosaj i ka propozuar Gjykatës së Apelit që ta anuloj aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë dhe rastin ta kthej në rigjykim.

“I propozon Gjykatës së Apelit që gjykimin e ankimuar të Gjykatës së shkallës së parë ta anuloj dhe rastin ta kthej në rigjykim”, thuhej në ankesën e Prokurorisë.

Aktiviste të shoqërisë civile protestojnë para Gjykatës së Apelit për rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt. Foto: Kallxo.com

Edhe Prokuroria e Apelit ka propozuar që aktgjykimi i Gjykatës së shkallës së parë të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Të pranishëm në sallë të Gjykatës ishin edhe familjarët e të ndjerës Donjeta Pajazitaj të cilët e përkrahën ankesën e prokurores dhe i kërkuan Gjykatës së Apelit që ta anuloj aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë pasi që sipas familjarëve të Donjetës, i akuzuari Naser Pajazitaj është fajtor për vrasjen e Donjetës.

“Për të akuzumin është e sigurt që është fajtor dhe e përkrahi ankesën e prokurores”, tha Lumnije Pajazitaj, nëna e të ndjerës Donjeta Pajazitaj.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Naser Pajazitaj, avokati Gëzim Kollçaku e ka kundërshtuar ankesën e prokurorisë ai në përgjigje në ankesë i ka kërkuar Gjykatës së Apelit që të ankesën ta refuzoj si të pabazuar, kurse aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë të vërtetohet pasi që sipas avokatit në lidhje me këtë rast Gjykata e Pejës e ka dhënë një vendim meritor.

“Në tërësi e kundërshtoj ankesën e prokurores së shtetit mbi bazën e vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, pasi që nëse lexohet kjo ankesë ajo është e bazuar vetëm në deklaratat e dëshmitareve të cilat deklarata fare nuk janë relevante në lidhje me çështjen për të cilën akuzohet Naser Pajaziti lidhur me diapozitivin”, tha avokati.

Sipas avokatit Kollçaku prokurorja e rastit aktakuzën e ka ngritur vetëm mbi bazën e paragjykimeve duke u nisur nga fakti se i mbrojturi i tij para 28 viteve kishte qenë i akuzuar për një vrasje.

“Prokurorja këtë aktakuzë e ka ngritur me paragjykime pa asnjë provë. Prokurorja e paragjykon se ai më herët ka qenë i akuzuar për një vrasje para 28 viteve. Vetë prokurorja në aktakuzë thotë edhe se nuk kam pas asnjë provë direkte që Naser Pajaziti është i involvuar vetë”, tha avokati Gëzim Kollçaku.

Gjykata e Apelit shqyrton rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt. Foto: Kallxo.com

Pas seancës para kamerave u prononcua edhe vëllai i Donjetës, Shkëlzim Pajazitaj i cili tha se shpreson që Gjykata e Apelit do të marrë një vendim të drejtë pasi që sipas tij ka mjaftueshëm fakte që vërtetojnë se i akuzuari e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Para fillimit të seancës në oborrin e Pallatit të Drejtësisë ishin mbledhur disa aktiviste të cilat protestuan në mënyrë të qetë duke kërkuar nga Gjykata e Apelit që të sjell drejtësi mbi rastin e Donjeta Pajazitaj, ato në dorë mbanin pankarta me mbishkrimin “Drejtësi për Donjetën”

Aktakuza ndaj Naser Pajazitajt thotë se derisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari kishte ndalur veturën dhe e kishte marrë atë “duke ecur në këmbë në drejtim të fshatit Strellc i Epërm”.

“Kur arrin te “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë dhe duke shtënë dy herë në kokë e me pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunj, dhe largohet nga vendi i ngjarjes”, kishte thënë prokuroria në njërën nga seancat gjyqësore.

Përveç veprës penale të vrasjes së rëndë, Naser Pajazitaj akuzohet edhe për dy vepra tjera të armëmbajtjes pa leje.

Në njërën nga seancat gjyqësore të këtij rasti, vëllai i Donjeta pajazitajt e kishte grushtuar të dyshuarin për vrasje, Naser Pajazitaj, derisa ky i fundit po largohej nga salla e gjyqit.

https://kallxo.com/vellai-donjeta-pajazitajt-grushton-te-akuzuarin-pas-seances/

Në lidhje me akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues, duke u betuar se nuk ka të bëjë me vrasjen e kushërirës së tij.