Arsim Gllogu rrëfen për dëmin që pretendon se iu shkaktua nga punimet ndërtimore në fqinjësi - Foto: KALLXO.com

Apeli kthen në rigjykim ankesën për dëmtim të shtëpisë nga ndërtimet në fqinjësi

Gjykata e Apelit në Prishtinë e ka kthyer në rigjykim procesin gjyqësor ndaj kompanisë ndërtimore “Driloni Com” dhe komunës së Prishtinës, të cilat janë paditur nga Arsim Gllogu për dëmet që i janë shkaktuar në shtëpinë e tij.

Vendimi i Apelit vjen pasi Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte dhënë të drejtë kompanisë që ta fillojë ndërtimin e objektit afër shtëpisë së familjes Gllogu.

Arsim Gllogu po pretendon së nga një ndërtim i lartë afër pronës së tij në lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë, në dhjetor të vitit të kaluar, i është dëmtuar shtëpia në të cilën ishte duke jetuar dhe biznesi.

Në këtë datë, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Komunës së Prishtinë i rekomanduan familjes Gllogu që ta lirojë shtëpinë pasi që ajo rrezikon të shembej.

“Shtëpia ime është e çarë dhe është e dëmtuar në shumë pjesë dhe vazhdon endë të pësojë dëme në shumë pjesë. Ky dëm ka ndodhur shkaku i rrëzimit të pilotëve të cilat nuk janë punuar konform projektit nga kompania “Driloni Com” e cila është duke punuar në pjesën e poshtme të shtëpisë”, tha Gllogu.

Zyrtarët  dhe inspektorët e Emergjencave në Komunën e Prishtinës më 8 dhjetor 2017 kishin dalë në vendin e ngjarjes dhe 4 ditë me vonë këtë rrezik e kishin konstatuar edhe në shkresat zyrtare se shtëpia e familjes Gllogu rrezikon të shembej pasi është krijuar një hapësirë e dheut ndërmjet themeleve të shtëpisë dhe sipërfaqes së dheut nën pllakën dhe themelet e saj.

“Shtëpia është çarë dhe nuk ka dhé përfundi. Thuhet se disa nga ekspertët që e kanë vlerësuar se deri në 3 metra distancë nuk ka dhé përfundi dhe është  e rrezikshme të jetohet”, shtoi ai.

Ekipi i KALLXO.com ka kërkuar përgjigje edhe nga avokati i kompanisë “Driloni Com”, Besnik Berisha, por ai nuk i ka paraqitur pretendimet e kompanisë ndaj akuzave të Gllogut edhe pas disa përpjekjeve.

“Kemi filluar edhe monitorimin e çarjeve. Vendosim xhama dhe i shkruajmë data që ta përcjellim se kur po çahet se sa po rritet çarja e objektit që është duke ndodhur në krejt shtëpinë”, theksoi Gllogu.

Edhe komuna e Prishtinës nuk ka dhënë përgjigje për këtë rast, pavarësisht shumë përpjekjeve të KALLXO.com për të marrë një koment.

Por një hulumtim në shkresat e komunës së Prishtinës tregon se zyrtarët e saj ende nuk e dinë pse ka ndodhur kjo shembje e dheut pasi që një gjë e tillë ishte konstatuar në procesverbal nga ekspertja e ndërtimtarisë gjatë këtij shqyrtimit gjyqësor.

“Shkaku i rrëshqitjes së dheut që është bërë shembja e pilotëve për atë shkak këta kanë fillu me ba mbushjen tërë natën me dhé e zhavorr për mos me u shemb shtëpia”, theksoi Gllogu.