Naser Kelmendi. Foto: Kallxo.com

Apeli e kthen në rigjykim rastin e Naser Kelmendit

Gjykata e Apelit e Kosovës ka njoftuar se e ka ndërprerë masën e paraburgimit ndaj të akuzuarit Naser Kelmendi.

Kelmendi ishte dënuar më 1 shkurt 2018 nga Gjykata Themelore në Prishtinë me gjashtë vjet burgim, si fajtor për veprën penale – posedim i paautorizuar me dashjen për të shitur, eksportuar ose shpërndarë dhe importuar narkotik të rrezikshëm, nga neni 228 par.1, 2 dhe 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (vepër kjo e inkriminuar edhe  sipas nenit 245 par.1 dhe 2 të Ligjit Penal Jugosllav).

Gjykata e Apelit njofton se po atë ditë, gjykata e shkallës së parë, të akuzuarit ia ka shqiptuar masën e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, duke qenë se është dënuar me mbi 5 vjet burgim dhe se shqiptimi i kësaj mase në  këto raste është i detyrueshëm, konform dispozitave të nenit 367 të Kodit të procedurës penale të Republikës së Kosovës.

“Meqenëse aktgjykimi i atakuar është anuluar nga Gjykata e Apelit, e duke pasur parasysh se i akuzuari ka qenë duke u mbrojtur në liri, dhe se paraburgimi i është caktuar për shkak të kohëzgjatjes së dënimit të shqiptuar, Kolegji penal i kësaj gjykate  ka ardhur në përfundim se tanimë kanë pushuar arsyet ligjore për të cilat është caktuar paraburgimi”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Në njoftimin e Apelit nuk është bërë e ditur dhe nuk është precizuar nëse rasti është kthyer në rigjykim në tërësi apo vetëm për pjesën dënuese të aktgjykimit të Gjykatës Themelore.