Arjeta Gashi - Foto: KALLXO.com

Apeli e Kthen në Rigjykim Rastin e Arjeta Gashit për Ndarjen e Pronës me ish- Bashkëshortin

Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e paditëses Arjeta Gashi dhe e ka kthyer në rigjykim vendimin e GJykatës Themelore të Prishtinës rreth pretendimit të saj për njohjen e kontributit në krijimin e pasurisë së përbashkët me ish- bashkëshortin.

Paditësja Arjeta Gashi me anë të një kërkesëpadie kishte kërkuar që të detyrohej i padituri, ish-bashkëshorti që në emër të kontributit në krijimin e pasurisë së përbashkët martesore t’ia kompensojë gjysmën e shumës, në lartësi prej 37,900 mijë euro. Ajo kishte kërkuar që të vërtetohej se kishte kontribuar në gjysmën e pasurisë së përbashkët martesore në vlerë prej 75.800 mijë euro sa kishte qenë e martuar me të paditurin L.Rr.

Por pas disa seancave të mbajtura dhe pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur që ta refuzonte kërkesëpadinë e paditëses Arjeta Gashi.

Kundër këtij aktgjykimi të gjykatës së shkallës së parë ankesë kishte ushtruar paditësja Arjeta Gashi dhe avokati i saj Musli Abazi për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe zbatimit të gabuar të gjendjes materiale andaj ata kishin kërkuar nga Gjykata e Apelit që ta prishte aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe çështjen ta kthente në rigjykim.

Në arsyetimin e aktvendimit të siguruar nga KALLXO.com thuhet se Gjykata e Apelit nuk mund ta pranojë si të ligjshëm dhe të rregullt vlerësimin juridik të gjykatës së shkallës së parë për arsye se, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është përfshirë nga shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, vendim jo të plotë të gjendjes faktike si dhe aplikim të gabuar të së drejtës materiale.

Gjykata e Apelit e rekomandon Gjykatën Themelore që në ri procedurë t’i eliminojë të metat e lartcekura, të marrë parasysh pretendimet e palëve, ta vërtetojë gjendjen faktike në mënyrë të plotë, t’i administrojë provat të cilat konsiderohen si të nevojshme për të vërtetuar gjendjen faktike, pas administrimit të provave ta bëjë çmuarjen veç e veç dhe të gjitha së bashku, dhe varësisht nga gjendja faktike e vërtetuar të marrë vendim të drejtë dhe të ligjshëm.

Ky proces gjyqësor ka filluar në vitin 2016, ndërsa paditësja pretendon se ka kontribuuar në krijimin dhe shtimin e pasurisë përmes punës së saj në KOSTT përgjatë 10 viteve. Paditësja pretendon se i takon gjysma e një banese e cila ndodhet në Prishtinë si dhe pasuria tjetër e luajtshme e përshkruar në padi.

Paditësja pretendon se kontributi i saj është dhënë përmes përgatitjes së ushqimit për fëmijë dhe për familje, higjienë dhe punë tjera të mirëmbajtjes së familjes së përbashkët.

Në anën tjetër pretendimet e paditëses kundërshtohen nga ish-bashkëshortë, tani i padituri i cili pretendon se fare nuk është pronar i banesës së pretenduar nga ish-gruaja e tij porse kjo pasuri i takon familjes së tij, nënës, motrave dhe vëllait të tij.

Problemet e saj me gjykatës, Arjeta Gashi i rrëfeu javën e kaluar në emisionin “Jeta në Kosovë“.

http://kallxo.com/rrefimi-per-luften-per-pronen-nga-gruaja-e-divorcuar/

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/ish-bashkeshorti-paditur-deshmon-ne-gjykimin-per-banesen/

http://kallxo.com/kerkon-38-mije-euro-nga-nje-dekade-jete-te-perbashket/

http://kallxo.com/ish-bashkeshorti-ofron-1-mije-e-750-euro-per-marreveshje/

http://kallxo.com/kerkohet-korrigjimi-padise-per-ndarjen-e-pasurise/