Gjykimi për vrasjen e rreshterit të Policisë, Shemsi Gashi - Foto: KALLXO.com

Apeli ashpërson dënimet për vrasjen e policit Shemsi Gashi

Gjykata e Apelit  pothuajse i ka dyfishuar dënimet  për 4 të akuzuarit  në lidhje me vrasjen e eprorit të krimeve ekonomike Shemsi Gashi teksa i ka zbutur dënimin njërit prej të akuzuarve.

Kështu, për vrasjen e ndodhur më 25 mars 2015 në Prishtinë, Apeli i ka zbutur dënimin të akuzuarit Ramdan Gashi nga 25 vjet në 22 vjet e gjysmë. Ramadan Gashi akuzohej për shtytje në kryrjen e veprës vrasje e rëndë.

Ndryshe nga dënimi për Ramadan Gashin, 4 të akuzuarve të tjerë të këtij rasti u janë rritur dënimet në mënyrë drastike.

I akuzuarit Vesel Gjinovci i cili ishte dënuar me 8 vjet burg nga Gjykata Themelore për veprën penale vrasje e rëndë, sipas vendimit të Apelit do të vuaj 14 vjet e gjysmë burg.

Gjykata e Apelit përpos që ndryshimit të aktgjykimit të Gjykatës Themelore në lidhje me dënimin ka ndryshuar edhe cilësimin e veprave për disa prej të akuzuarve.

Krahas Gjinovcit, dënimi ju është rritur edhe tre të akuzuarve Kujtim Bejiqi, Adonios Gashi dhe Vesel Bunjaku që akuzoheshin për ndihmë në kryerjen e veprës vrasje e rëndë.

Të akuzuarit Kujtim Bejiqi i është dyfishuar dënimi nga 5 vjet në 10 ndërsa të akuzuarit Adonis Gashi i është ngritur dënimi nga 3 vjet e 10 muaj në 8 vjet, teksa Vesel Bunjakut i është ngritur dënimi nga 5 vjet e 6 muaj në 11 vjet e 6 muaj.

Eprori policor i krimeve ekonomike Shemsi Gashi ishte vrarë më 25 mars 2015 në lagjen “Mati” të Prishtinës, ndërsa për vrasjen e tij Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzoi tetë persona tre prej të cilëve më pas u liruan.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë për kryerjen e kësaj vrasjeje ishin paguar rreth 5 mijë euro.

Në tetor të vitit të kaluar Gjykata e Prishtinës kishte shpallur aktgjykimin sipas të cilit 5 të akuzuarit ishin dënuar me gati 50 vjet burg.

Ky rast ishte vendosur fillimisht në shkurt të vitit 2018 ndërsa në korrik të po të njëjtit vit Apelit e kishte kthyer në rigjykim për shkak të shkeljeve që ishin evidentuar në aktgjykim.