Ilustrim

Aparati i dështuar për QKUK i humb buxhetit 5 milionë euro në vit

Aparati i angiografisë i planifikuar t’i ulë shpenzimet enorme për trajtimin e sëmundjeve kardiologjike në Kosovë konsiderohet i dështuar në bazë të raportit të auditorit për menaxhimin financiar në periudhën 2009-2017.

Sipas Auditorit, përkundër pagesës së bërë, aparati nuk është sjellë në QKUK për shkak të mos-adaptimit të hapësirës ndërsa marrëveshja ishte për 490,000 euro më e lartë sesa çmimi blerës i kësaj pajisje.

“Kjo vlerë ishte parashikuar për konsulencë pas adoptimit të pajisjes. Kjo kishte shkaktuar shpenzime shtesë si tarifë menaxhimi për vlerë 2,450 euro si dhe tarifë zotimi në vlerë 1,336 euro për shkak të vonesës në tërheqjen e mjeteve për këtë marrëveshje”, thuhet në raportin vjetor të Auditorit .

Sipas raportit, bazuar në analizën e bërë nga Ministria e Shëndetësisë në mungesë të kësaj aparature kjo ministri përafërsisht paguan 5 milionë euro në vit për trajtimin e pacientëve në spitalet e ndryshme të cilat i kryejnë këto shërbime.

Auditori paralajmëron se rreziku është i madh dhe, sipas tyre, kjo tregon një vendimmarrje të dobët dhe mungesë të një analize të detajuar për arsyen e huamarrjes.

“Dështimi i MSH për adaptimin e hapësirës për Aparatin e Angiografisë ose zvarritja e projektit për funksionalizimin e kësaj pajisje, ndikon në mos ofrimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët dhe shkakton shpenzime të konsiderueshme për buxhetin e Kosovës”, thuhet në raport.

Auditori rekomandon që Ministri i Financave në bashkëpunim me Ministrin e Shëndetësisë ta adresojnë nevojën e furnizimit sa më të shpejtë të pajisjes dhe të evitojnë të gjitha pengesat në adaptimin e hapësirës për vendosjen e pajisjes dhe ta funksionalizojnë pajisjen sipas standardeve të kërkuara teknike.