Anulimi i ekskursioneve, maturantët e Ferizajt protestojnë

Maturantët e Ferizajt këtë vit nuk do të mund të shijojnë ekskursionet që mbahen në Shqipëri, sikurse moshatarët e komunave të tjera. E kjo pasi që Drejtoria e Arsimit në këtë komunë ka marrë vendim që të ndalohen ato.

Si shenjë revolte ndaj këtij vendimi, nxënësit kanë vendosur që të protestojnë brenda shkollave dhe të bojkotojnë mësimin.

Drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani tha për KALLXO.com se nxënësit kanë protestuar por kanë mbajtur mësim.

“Kanë protestu vetëm një pjesë e nxënësve, dje kanë protestuar disa nxënës së shkollës së mjekësisë dhe si kanë mbajtur tri orë , ndërsa në shkollat e tjera gjendja ka qenë shumë stabile dhe e rregullt”, tha ai.

Ai shtoi se ndalimi i ekskursioneve është bërë me kërkesë të Këshillave të Prindërve nëpër shkollat e këtij qyteti.

“Po anulimin e ekskursioneve e kanë bërë vetë prindërit e nxënësve. Këshillat e Prindërve nëpër shkolla pastaj në nivelin komunal kemi vendos për shkak të shqetësimeve që i kanë paraqitur vazhdimisht prindërit. Ata nuk janë pajtuar që me vazhdu në formën që janë organizu deri më tani”, shtoi ai.

Komuna e Ferizajt është e para në Kosovë që merr një vendim të tillë, ndërsa ai  vlen për 8 shkollat e mesme të kësaj komune.