Xhavit Haliti e Anton Quni

Anton Quni dhe Xhavit Haliti sërish përplasen për 'paratë e luftës'

Deputeti i LDK-së, Anton Quni dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti sërish u përballën me njëri-tjetrin për çështjen e shpenzimeve të fondeve të shqiptarëve të Kosovës gjatë kohës së luftës së viteve 1998-1999, që mblidheshin kryesisht nga kontributi i shqiptarëve të diasporës.

Deputeti Anton Quni, tha se në shumicën e transaksioneve për UÇK-në, lakohej emri i Xhavit Halitit.

“Për të qenë më specifik, në shumicën e transaksioneve për qëllime të ndryshme siç janë ndihma urgjente e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, blerja e armatimit për njësit operative të UÇK-së dhe ministrisë së mbrojtjes lakohej emri i Xhavit Halitit”, tha Quni.

Quni tha se reagimi i nënkryetarit Xhavit Haliti, e shtyn të dyshojë për  përdorimin e këtyre fondeve.

“Reagimi agresiv i z. Xhavit Haliti dhe fare i paarsyeshëm tani më bëjnë të dyshoj se në pyetje janë shuma shumë më të mëdha dhe të bëjë pyetje a u përdorën ato para për qëllimin e destinuar”, tha Quni.

Deputeti Quni tha se të gjitha dëshmitë që i posedon, do t’ia dorëzojë administratës së Kuvendit për t’i adresuar te Haliti.

“Unë këtu, ashtu siç kërkuar ju z. Haliti i kam dëshmitë, ato dëshmi janë të klasifikuara dhe varet nga ju a do t’i publikoni apo jo. Por nëpërmjet administratës do t’i përcjell te ju ku janë të gjitha dëshmitë dhe ku përfshihen protagonistët, dita, data, vula, preambula, shuma e kalimit të mjeteve financiare”, deklaroi Quni.

Quni tha se në të gjitha dokumentet thuhet se kolonel Ahmet Krasniqi, ish ministri i mbrojtjes në qeverinë e Kosovës në ekzil, i vrarë në shtator të vitit 1998 në Tiranë, të ketë treguar për ndikimin e Halitit në këtë fond.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radha e PDK-së, Xhavit Haliti i cili tha se me shumë akterë ka pasur kontakt për themelimin e Fondit Kombëtar.

“Sa për ta përkujtuar unë kam pasë raporte me Ibrahim Rugovën,  Bujar Bukoshin, Agim Mehemetin, Nikë Gjeloshin, Shaqir Shaqirin, Anton Kolën me të gjithë kemi biseduar duke filluar shumë herët deri tek themelimi i Fondit Kombëtar që e kemi quajtur atëherë dhe prishja e atij fondi unik nga Bujar Bukoshi dhe Ali Aliu, që e kanë shndërruar në Fondin e 3 për qindëshit”, tha Haliti.

Ndër tjerash Haliti tregoi se kolonel Ahmet Krasniqi e kishte ftuar në shtëpinë e Bilall Sherifit dhe i kishte thënë se do t’i dorëzojë fonde për luftën në Kosovë.

“E vërteta është se mua mu ka ofruar Ahmet Krasniqi dhe nuk e kam ditur kush është. Më është ofruar përmes Shaban Mujës, Bardhyl Mahmutit dhe Bilall Sherifit dhe më kanë thirrë në një takim në shtëpinë e Bilall Sherifit. Ahmeti ka qenë vullnet mirë dhe ka premtuar  që të gjitha mjetet që i disponon Qeveria e Kosovës në mërgim  do ja dorëzojë Shtabit të Përgjithshëm për ta udhëhequr luftën. Ku ka qenë premtim me shkrim”, tha  Haliti.

Duke folur për kolonel Ahmet Krasniqin, Haliti tha se segmente të caktuar të oficerëve dhe Qeverisë së Kosovës e kanë penguar atë të bëhej ministër i mbrojtjes.

“Ahmet Krasniqi u emëru ministër i mbrojtjes shumë vonë dhe ka luftuar me ato struktura të qeverisë sepse nuk e emëronin për ministër të mbrojtjes. Unë i di gjërat më tel se disa që mund të jenë edhe oficer të ish armatës së Jugosllavisë”, tha Haliti.

Madje Haliti iu drejtuar Qunit duke ia kujtuar disa fjalë që i kishte thënë ish kryeministri Isa Mustafa.

“Po i referohem një diskutimi në vjen të bërë nga ish kryeministri yt:  ‘Ne do të organizohemi në atë mënyrë sepse komandantët e UÇK-së dhe këta UÇK-së do të fillojnë vrasjen e njëri tjetrit dhe disa so ti fusin më burg dhe do ta marrim ne drejtimin e pushtetit’”, tha Haliti.

Diskutimi i tyre mbaroi meqë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli kërkoi që ky debat të mbahet në një seancë të veçantë.

“Z. Haliti e përfunduat kohën tuaj. E mbajmë një debat se nuk e dimë se ku ka shkuar as kush i ka marrë paratë. E mbajmë një debat, thirrne dhe flasim dy ditë për këtë punë sepse ka nevojë. Z. Quni e inicion dhe e mbajmë këtë debat. Por 5 minuta janë, më vjen keq replika nuk ka”, tha Veseli.