Antikorrupsioni denoncoi 114 persona për veprime korruptive, ndër ta edhe zyrtarë të lartë

Agjencia Kundër Korrupsionit gjatë vitit të kaluar ka denoncuar 114 persona për veprime korruptive. Të gjitha hetimet, AKK i ka dorëzuar tek organet përgjegjëse të hetuesisë.

Ndër personat që dyshohen për veprime korruptive, sipas Antikorrupsionit janë edhe zyrtarë të lartë publik.

AKK gjatë konferencës për media ku prezantoi punën për vitin 2018 nuk ka dashur t’i zbuloj emrat e këtyre zyrtarëve publik.

Shaip Havolli, Drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit duke ju përgjigjur interesimit të KALLXO.com për rritjen e pagave nga Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, tha se AKK ka nxjerr një opinion për këtë mirëpo nuk ka dërguar kallzim penal.

Në raportin e prezantuar sot para mediave nga vetë kreu i Antikorrupsionit, thuhet se ky institucion ka denoncuar 114 persona për veprime korruptive në institucionet përgjegjëse për hetime të mëtutjeshme.

“AKK, në 114 rastet e përcjella në prokuroritë publike, Policinë e Kosovës dhe ATK për procedim të mëtutjeshëm penal pas konstatimeve se ka të dhëna të mjaftueshme apo/ dhe dyshim të arsyeshëm për përfshirjen në veprime korruptive, ka denoncuar 121 persona. Prej tyre 114 janë përcjellë në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe 7 persona në DHKEK- Policia e Kosovës”, thuhet në raportin për punën gjatë vitit 2018.

“AKK gjithashtu gjatë periudhës raportuese ka përcjellë 12 raste në organet kompetente administrative me kërkesë për fillimin e procedurës disiplinore kundër 22 personave zyrtarë të institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në raport.

Agjencia Kundër Korrupsion ka njoftuar edhe për veprat penale të zyrtarëve të dyshuar.

“Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare, keqpërdorimi i Pozitës apo autoritetit zyrtar dhe konflikti i interesit”, thuhet tutje në raportin e AKK-së.

Sipas këtij institucioni, të dyshuar për vepra korruptive janë edhe zyrtarë të lartë të shtetit.

“Personat e përfshirë në këto raste i përkasin niveleve të ndryshme si: Deputet, zëvendës ministër, këshilltarë të ministrave, ambasador, këshilltarë e sekretarë në ambasada, kryetarë të komunave, kryesues të kuvendeve komunale, këshilltarë të asambleve komunale, kryesues, zëvendës kryesues dhe anëtarë të këshillit drejtues në universitetin publik, dekanë dhe prodekanë në fakultete të universiteteve publike, gjyqtarë, auditorë, drejtorë në agjenci ekzekutive në kuadër të ministrive, anëtarë të këshillave drejtues të institucioneve vartëse në kuadër të ministrive, drejtorë departamentesh në ministri, menaxherë dhe zyrtarë të prokurimit, drejtorë të drejtorive në komuna, zyrtarë financiarë në nivel lokal, drejtorë klinikash, drejtorë e anëtarë bordesh të ndërmarrjeve publike, sekretarë ndërmarrjesh publike”, njofton Agjencia.