Florian Dushi, KQZ

Anëtari i LDK-së në KQZ zgjidhet kryetar i degës së dytë të LDK-së në Prishtinë

Anëtari i LDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Florian Dushi është zgjedhur kryetar i degës së dytë të LDK-së të dielën që lamë pas.

Këtë e ka konfirmuar vet Dushi në një prononcim për KALLXO.com duke shtuar se do të vazhdoj të i mbajë dy pozitat.

“Po jam zgjedhur, jam edhe anëtarë i KQZ-së, do të vazhdoj të i mbajë këto pozita deri sa të përfundon procesi zgjedhor në LDK, pastaj vendosi” tha ai.

Mirëpo Ligji për Zgjedhjet përkatësisht neni 61.8 ia ndalon anëtarit të KQZ-së të ketë pozitë të lartë në parti.

“Personi nuk ka të drejtë të jetë anëtar i KQZ-së nëse është: zotërues i një posti të lartë publik ose i një posti të lartë në parti politike”, thuhet në ligj.

Ndërsa i pyetur se a e ka shkelur Ligjin për Zgjedhje me emërimin në këtë pozitë, Dushi ka thënë që nuk ka shkelje në këtë rast.

“Post i lartë është me qenë në organe ekzekutive të partisë, nuk kam problem me ligjin është bërë ky interpretim më herët është përfunduar më herët prej organeve kompetente”, ka theksuar Dushi.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një prononcim nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, mirëpo e njëjta nuk ka pranuar të flasë nën arsyetimin se i duhet më shumë kohë për të dalë me një qëndrim për këtë çështje.