Komuna e Malisheves. Malisheve. 28.05.15 Photo: Atdhe Mulla

Anëtari i Komisionit për vlerësimin e aplikacioneve fiton subvencion për OJQ nga Komuna e Malishevës - Dokument

Komuna e Malishevës me 19 prill ka publikuar listën e 25 OJQ-ve përfituese të subvencioneve të kësaj komune, me vlerë të përgjithshme prej 50 mijë eurove.

Anëtarë të komisionit për përzgjedhjen e fituesve kanë qenë pesë persona, prej të cilëve edhe Amrush Helshani, i cili është edhe kryetar OJQ-së “Qendra e Rinisë Malishevë”, e cila ka përfituar subvencion 1 mijë euro.

Helshani si anëtar i komisionit vlerësues e ka nënshkruar edhe listën përfundimtare të 25 OJQ-ve, ku përfshihet edhe OJQ-ja që ai e drejton.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në komunën e Malishevës në lidhje me këtë çështje, ku ngritet dyshimi për konflikt interesi, ndërsa në përgjigjen e tyre thuhet se  Helshani është tërhequr nga vendimmarrja, kur është shqyrtuar aplikacioni i “Qendrës Rinore”.

“Amrush Helshani, është kryetar i Qendrës Rinore dhe ka qenë anëtar i komisionit për vlerësim. Po iu konfirmojmë se i lartpërmenduri, në momentin e shqyrtimit të aplikacionit të Qendrës Rinore, është tërheqë nga vendimmarrja”, thuhet në përgjigjen e komunës së Malishevës.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Amrush Helshani gjithashtu ka pretenduar se në momentin e vlerësimit të ofertës së OJQ-së që drejton, është tërhequr nga vendimmarrja, ndërsa nuk ka ofruar ndonjë provë për këtë pretendim.

“Unë nuk mendoj se është konflikt interesi, ngase unë në momentin e vlerësimit të ofertës së Qendrës Rinore, unë kam deklaruar për konfliktin e interesit dhe jam dorëhequr nga vendimmarrja në procesin e vlerësimit të ofertës së Qendrës Rinore. Këtë gjë e kam bërë përmes deklaratës me shkrim”, ka thënë Helshani në përgjigjen e tij, duke mos e ofruar deklaratën me shkrim që thotë se e ka dhënë.

Ndërsa shumën më të madhe të përkrahjes financiare nga komuna, e ka fituar klubi i futbollit “UV Malisheva”, gjithsej 22 mijë euro, nga 50 mijë euro sa ishte shuma totale e subvencioneve. Kurse komuna e Malishevës thotë se arsyeja e ndarjes së kësaj shume për këtë klub, është se komuna e ka prioritet zhvillimin e sportit.

“Klubi gjatë aktivitetit të tyre ka shpenzime të mëdha dhe rrjedhimisht është përkrahur me shumën e kërkuar. Poashtu, zhvillimi i sportit është nevojë e domosdoshme, prandaj komuna e Malishevës e ka në prioritet zhvillimin e sportit dhe po i përkrahim të gjitha klubet në vazhdimësi”, thuhet në përgjigjen e komunës së Malishevës.

 

Në ndarjen e subvencioneve për OJQ-të në komunën e Malishevës, ka përfituar edhe drejtuesi i tifogrupit “Çelikët”, Alban Krasniqi, i cili është anëtar i NISMA-s, partisë së kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj.