Pamje nga një mbledhje e KQZ-së - Foto: KALLXO.com

Anëtarët e KQZ-së, Pa Mandat Vëzhgojnë Zgjedhje në Vende të Tjera

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka reaguar ndaj anëtarëve të KQZ-së, të cilët sipas tij kanë vëzhguar zgjedhjet në Hungari dhe që pritet edhe javën e ardhshme të vëzhgojnë zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi.

Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, tha se KQZ nuk ka pse të vëzhgojë zgjedhjet në secilin vend që mbahen.

Sipas tij, asnjë raport nuk është publik lidhur me “mësimet” e këtyre vizitave.

“Cila është rëndësia e zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, kur ne nuk e zgjedhim presidentin drejtpërdrejtë. Pse duhet të shpenzohen para për këto vizita, kur KQZ në mungesë të mjeteve ende nuk ka paguar mbi 1,600 komisioner”, tha Krasniqi.

Krasniqi shtoi se është më mirë të fokusohen në zhvillimin e strategjive për edukim të votuesve, që mos të jenë 8% të votave të pavlefshme, e të kenë module të trajnimeve më cilësore për komisionerët.

Gjithashtu sipas tij, “anëtarët e KQZ-së edhe ashtu janë pa mandat”.

Mandati i anëtarëve të KQZ-së ka skaduar më 27 mars ndërsa Presidenti nuk ka ndvrmarrë ende masa për ripërtëritjen e mandatit apo deklretimin e anëtarëve të rinj.

E kundër kësaj deklarate ka reaguar Ilir Gashi anëtar i KQZ-së nga PDK.

Ani pse nuk e ka përmendur emrin e Albert Krasniqit në postimin e tij, Gashi ka shkruar se KQZ, është organ kushtetues dhe nuk i jep llogari njerëzve me porosi, apo secilit që me apo pa qëllim tenton të fus ndikim direkt apo indirekt në KQZ.

Gashi shtoi se KQZ do të vëzhgojë zgjedhje sa herë që ajo e konsideron të nevojshme.

“KQZ, nga të gjitha raportet ndërkombëtare, është cilësuar si trupa me profesionale, me zgjedhjet me të mira në rajon! KQZ, ka kryer obligimet e saj me kohë ndaj ish punonjësve të saj, por mbetet e pa qartë pse nuk janë kryer obligimet financiare”, tha Gashi.

“KQZ, nuk është OJQ qe paguhet nga donator, politikat e të cilave duhet t’i zbatojnë individ që OJQ-në e shfrytëzojnë trampolinë për t’u shitur tek Partitë Politike”, shtoi ai .

Sipas Gashit, KQZ, financohet nga buxheti shtetit dhe do të vazhdojë të kryejë rolin e saj kushtetues.

“KQZ, ka marr dhe do të marr përvoja edhe në të ardhmen nga vëzhgimi, trajnimi dhe konferencat e ndryshme ndërkombëtare, që do t’i ketë s’bashku me organizatat botërore, ku është anëtarësuar. KQZ, mban për 30 ditë zgjedhje të mira, sa kritikuesit e saj një dasmë t’mirë për 30 dit s’munden me mbajt”, shtoi ndër të tjera Gashi.

KALLXO.com ka shkruar për borxhin që KQZ i ka mbetur stafit të angazhuar për zgjedhje lokale 2017.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, kishte thënë për KALLXO.com se për pjesën dërrmuese të stafit të angazhuar për zgjedhje lokale 2017 apo për 50 mijë persona janë kryer me kohë obligimet.

Kurse, për arsye të ndryshme sipas tij kanë mbetur edhe 1 mijë e 671 persona të cilët nuk kanë marrë pagesën për angazhimin e tyre.

KALLXO.com, ka shkruar edhe për përfundimin e mandatit të kryetares dhe anëtareve të KQZ-së.

Ndërkohë, që edhe Lëvizja Vetëvendosje kishte reaguar ndaj përfundimit të mandatit të kryetares dhe anëtarëve të KQZ-së duke e kritikuar Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi për zvarritjen e procesit të emërimit të përfaqësuesve politikë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mandat ky i cili u ka përfunduar më 27 mars.