Objekti ku do të vendoset Gjykata Speciale | Foto: Wikimedia

Analistët kanë pak besim në Gjykatën Speciale

Në vitin 2015 Kuvendi i Kosovës pati formuar Gjykatën Speciale pas dy përpjekjeve të njëpasnjëshme.

Ky institucion i drejtësisë pati hasur në shumë kundërshtime, por në fund legjislativi kosovar i pat dhënë dritën e gjelbër me 82 vota për, 5 kundër e 1 abstenim.

Ju deshën më shumë se tri vite që të fillojë punën e të ftojë disa prej prijësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për intervistë.

Puna e saj dhe funksionalizimi i plotë po shihen me skepticizëm nga analistët në Kosovë.

Florent Spahija ka thënë se rezultatet e gjykatave ndërkombëtare në Kosovë që nga paslufta nuk kanë treguar rezultate të mira.

“Përgjithësisht, gjykatat ndërkombëtare ose të udhëhequr nga gjyqtar ndërkombëtarë nuk është se kanë treguar ndonjë rezultat shumë të madh në Kosovë, qoftë në luftimin e krimit të organizuar apo korrupsionit apo edhe për krimet që janë bërë në periudha të caktuara kohore. Rezultatet e tyre nëse i shohim ndër vite, që nga Gjykata e UNMIK-ut, ajo e EULEX-it  nuk është se kanë pasur ndonjë rezultat të theksuar”, thotë Spahija.

Më tej, Spahija thotë se rastet e trajtuara në të kaluarën nga gjykatat ndërkombëtare kanë zgjatur shumë dhe pa rezultat, ndërsa është skeptik për punën e Gjykatës Speciale.

“Ka pasur gjykime që kanë zgjatur deri në 100 seanca, e të cilat konsideroj që kur zgjatin aq shumë e humbin edhe kuptimin e gjykimit në ato raste, meqë harrohet se çfarë ka vendos në fillim kur deri në fund. Nuk po presim shumë nga Gjykata Speciale sepse kemi pritur shumë dhe ende nuk kemi asnjë aktakuzë të ngritur dhe nuk ka ndonjë rezultat konkret në këtë aspekt”, vlerëson ai.

Edhe analisti tjetër Imer Mushkolaj thotë se ka humbur besimi në Gjykatën Speciale.

Ky besim, sipas tij, ka të bëjë me zvarritjen në funksionalizimin e saj.

“Është zvarritë shumë funksionalizimi i saj dhe kjo ka ndikuar te njerëzit që të krijohet përshtypja se edhe kjo Gjykatë njësoj jo të dobishme sikur kanë qenë gjykatat e UNMIK-ut dhe të EULEX-it. Edhe tash kur ka filluar shohim se nuk ka ndonjë reagim për të. Është një situatë “normale” sepse njerëzit nuk presin shumë nga kjo Gjykatë, duke konsideruar se kjo Gjykatë është politike dhe njëetnike”, thotë Mushkolaj.

Sipas tij, në krejt këtë situatë kanë ndikuar edhe deklarimet publike të politikanëve kosovarë.

“Ka ndikuar diskursi i politikanëve të cilët e kanë vënë në shënjestër Gjykatën dhe kanë sjellë situatën që ajo të shihet si gogol, si njëfarë gogoli e jo si një institucion që do të sjellë drejtësi”, ka vlerësuar ai.

Në anën tjetër, Artan Qerkini, i cili është avokat i Mahir Hasanit, njërit prej të ftuarve për intervistë nga Gjykata Speciale, ka thënë se kanë parashtruar disa ankesa në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka qenë e qartë kur ua ka dërguar personave ftesat për intervistim.

“Kemi pasur vërejtje për Zyrën e Prokurorit të Specializuar që disa urdhra që janë lëshuar për disa të pandehur kanë qenë dhe kanë rënë ndesh me Kushtetutën dhe ne kemi reaguar. Kemi pasur edhe një vërejtje tjetër për Zyrën e Prokurorit të Specializuar që ka të bëjë me faktin se kjo zyrë shpesh herë po i vë në huti personat që po ftohen sepse nuk po e bëjnë të qartë cilësinë për të cilën po ftohen”, ka thënë Qerkini.

KALLXO.com ka raportuar mbrëmë për një darkë në të cilën janë parë gjykatësi Vladimir Mikula dhe Aranit Koci, avokati i Sami Lushtakut, i cili është intervistuar nga Gjykata Speciale.