Analistët: Arrestimet S’i Ndihmojnë Liberalizimit

Arrestimet dhe bastisjet që ndodhën sot, mes tjerash edhe në shtëpinë e Azem Sylës, në kohën kur Kryeministri Isa Mustafa po e vizitonte Brukselin, sipas njohësve të proceseve integruese në BE, nuk mund të ndikojnë që Kosovës t’i rekomandohet dhe lejohet lëvizja pa viza.

Analistja Besa Shahini thotë për KALLXO.com se BE-ja nuk i ka vënë kusht liberalizimi Kosovës arrestimet nën dyshimet për korrupsion, por dënimet për këtë dukuri.

“ Lexova komente se ndoshta po bëhet që të plotësohen kushtet për liberalizim të vizave. Por kjo nuk mund të jetë e vërtetë sepse kushti që BE-ja i ka vënë Kosovës është që të ketë vendime finale gjyqësore për raste të korrupsionit dhe krimit te organizuar, e jo vetëm arrestime,” tha ajo.

Arrestimet e sotme Albana Merja nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike i konsideron të vonuara.

“Një gjë e tillë është shumë e vonuar, sepse kjo ka qenë kusht qysh nga 2012 dhe BE-ja  nuk kërkon arrestime, por kërkon evidencë të rasteve të përfunduara në gjykata,” tha ajo.

Sot Policia e Kosovës në bashkëpunim me atë të EULEX-it me urdhër të Prokurorisë së Shtetit kryen bastisje në 42 lokacione të ndryshme në Kosovë dhe arrestuan 6 persona në kuadër të një hetimi penal për tjetërsim pronash shoqërore për të cilin dyshohen 52 persona.

Sipas prokurorisë hetimi ka të bëjë me një grup të madh të organizuar kriminal të përbërë nga qytetarë nga Kosova dhe nga Serbia që ka qenë aktiv nga viti 2006 e deri më sot, ndërsa është kryesuar nga Azem Syla.

Besa Shahini aksionin e sotëm e cilëson “dramë që EULEX-i e shpalosë për ta arsyetuar vazhdimin e mandatit të vet edhe për dy vjet”.

Por Albana Merja mendon se Kosova do të marrë sinjale pozitive për heqjen e vizave.

“Besoj që do të merret rekomandimi pozitiv sepse në numër të madh të gjitha rekomandimet janë plotësuar, përveç luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsioni,” tha Meraj.

Shahini numëron për KALLXO.com arsyet pse BE-ja heziton t’ia heqë vizat Kosovës.

Sipas saj arsyet shtytëse për migrim nuk kanë ndryshuar, Kosova mbetet vend i varfër me papunësi të madhe dhe frika është se pas liberalizimit të vizave, qytetarët e Kosovës do ta përdorin lehtësimin e udhëtimit për të kërkuar azil në vendet e BE-së.

“Nuk pres qe BE-ja të dalë me data konkrete për liberalizim vizash. Nuk varet nga Komisioni Evropian – varet nga shtetet anëtare, të cilat kanë problem me migrimin prej Kosovës,” thotë Besa Shahini.

Kryeministri Isa Mustafa sot është takuar me presidentin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker.

Por edhe Albana Merja thotë se puna e liberalizimit nuk kryhet në Komisionin Evropian, por ky institucion vetëm jep rekomandimet e tij.

Sipas Merjës në momentin që komisioni e jep rekomandimin për Kosovën, ky rekomandim duhet të kalojë në Këshillin e Ministrave të BE-së që të votohet, çka do e detyrojë Kosovën që të lobojë në vendet anëtare të BE-së, sepse ka shumë vende që janë kundër lëvizjes së lirë të kosovarëve në Zonën Schengen.

Merja thotë se numri i madh i emigrantëve kosovarë mund të shtyjë edhe Gjermaninë e Francën të jenë kundër liberalizimit.

“Mund të jenë vendet si Gjermania dhe Franca të cilat janë skeptike për momentin, pasi që e kanë numrin më të madh të azilkërkuesve kosovarë,” thotë ajo.