Ambienti i ndotur në Kosovë, Ministrisë së Mjedisit i tepron 80% e buxhetit

Kosova ka telashe të mëdha me kanalizime të cilat shkarkohen nëpër lumenj. Ka telashe me ajrin e ndotur, sidomos gjatë dimrit. Disa deponi legale të bërllokut nuk i plotësojnë kushtet, ndërsa ka edhe shumë deponi ilegale të bërllokut. Përveç këtyre, Kosova ka një problem të madh me miliona tonelata mbetje industriale që janë kërcenim për shëndetin e qytetarëve.

Por, Ministrisë së Mjedisit i kanë tepruar gjysma e parave të planifikuara për investime kapitale për vitin 2018. Shprehur në shifra, kësaj ministrie në fund të vitit i ka mbetur e pashpenzuar 80% e buxhetit të paraparë për investime kapitale.

“Në planin e prokurimit për vitin 2018 MMPH kishte paraparë prokurimin e 44 projekteve kapitale me vlerë të përbashkët prej 23,018,682€. Deri në fund të vitit, kishte arritur t’i realizojë vetëm 24 prokurime me vlerë financiare 4,492,279€”, thuhet në raportin e Auditorit.

Përmes raportit merret vesh se arsyet për mos realizimin e projekteve përfshijnë: mungesën e projekteve të detajuara, vonesat në inicimin e procedurave të prokurimit në raport me planin në mungesë të specifikimeve teknike të projekteve, anulime të proceseve të prokurimit si dhe vonesa në nënshkrim të kontratave si pasojë e procedurave të ankesave dhe kontesteve në OSHP.

Bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik (LPP) jo më pak se tridhjetë (30) ditë para fillimit të çdo viti fiskal, secili autoritet kontraktues duhet të përgatisë, planifikimin paraprak të prokurimit, në të cilin identifikohen me detaje të arsyeshme të gjitha furnizimet, shërbimet dhe punët, që autoriteti kontraktues (AK) parasheh t’i prokuroj gjatë vitit fiskal në fjalë.

Mos realizimi i procedurave të prokurimit me kohë, Auditori vlerëson se e rrezikon realizimin e projekteve kapitale sipas planit të paraparë dhe zvogëlon mundësinë e përmbushjes së objektivave vjetore të ministrisë.

Ministrit iu rekomandua që me rastin e planifikimit të prokurimit të merren parasysh të gjithë faktorët të cilët mund të ndikojnë.

“Ministri duhet të siguroj se me rastin përgatitjes së planit vjetor të prokurimit, të merren parasysh të gjithë faktorët që mund të ndikojnë në realizimin e planit, si: zgjidhja e kontesteve pronësore, përgatitja e projekteve ekzekutive, inicimi me kohë i procedurave të prokurimit, formimi i komisioneve të vlerësimit me përvojën dhe ekspertizën e duhur, etj”, rekomandon Auditori.

Lidhur me këtë të gjetur të raportit, pjesërisht është pajtuar Ministria. Mirëpo kjo nuk kishte ndryshuar konstatimin e Auditorit.

“Vonesat në inicimin e projekteve kapitale kanë ndodhur për shkak se, ish Ministrja ka anuluar aktivitetin e prokurimit për ofrimin e shërbimeve ingjinierike (hartimin e projekteve) dhe menjëherë MMPH ka njoftuar të gjitha Komunat (që projektet e tyre që kanë qenë pjesë e Ligjit të Buxhetit) janë të obliguar t’i hartojnë vet projektet dhe për kompletimin e dokumentacionit përcjellës (pajisjen me lejet përkatëse) gjë që ka marrë kohë dhe ka shkaktuar vonesa (ju kemi dhënë vendimin e Ministres për anulimin e aktivitetit të prokurimit për ofrimin e shërbimeve ingjinierike-hartimin e projekteve)”, komenton Ministria.

Mirëpo komenti i Ministrisë nuk e ka kundërshtuar gjetjen e raportit. Sipas Auditorit, komenti nuk e kundërshton gjetjen e auditimit prandaj gjetja dhe rekomandimi mbeten pjesë e raportit.