Fuqizimi i autoritetit të emigrimit | Foto: KALLXO.com

Ambasadori Zviceran: S’ka Lëvizje pa Viza pa Plotësim Kushtesh

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë Jean Hubert Lebet tha sot se kriteret për liberalizim vizassh për Kosovën mbeten.

Ambasadori fjalët për kriteret e liberalizimit të vizave ia drejtoi ministrit të Punëve të Brendshme Flamur Sefajt.

“Para se ta përfundoj [fjalën time], zotëri ministër, i përmendët vizat. Qeveria e Kosovës, i ka pranuar që t’i përmbushë disa kushte. Këto kushte janë aty. Nuk shoh mundësi të merret regjimi pa viza pa zbatimin e këtyre kushteve”, tha ambasadori.

Komisioni Europian në dy kushtet e fundit për liberalizim vizash për Kosovën kërkon ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe një historik të dokumentuar të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ambasadori e ministri dolën në një konferencë për media, ku u prezantua projekti “Fuqizimi i Autoritetit për Menaxhimin e Migrimit në Kosovë”.

Ndërsa bashkëkryesuesja e këtij autoriteti, Edona Baruti, tha se Kosova duhet të përcaktojë kuotë të pranimit të të huajve me qëllim të punësimit dhe lehtësimit të integrimit të tyre në Kosovë.

Ajo tregoi edhe të dhënat e migrimit të parregullt të shtetasve të huaj drejt Kosovës dhe të kosovarëve drejt vendeve tjera.

Baruti tregoi se në vitin 2016 migrimi i parregullt ka shënuar rritje krahasuar me vitet 2014 dhe 2015, ndërsa emigrimi i parregullt i shtetasve kosovarë gjatë vitit 2016, sipas saj ka shënuar rënia të konsiderueshme krahasuar me vitet 2014 e 2015.

Projekti për fuqizimin e autoritetit që merret me emigrimin është mbështetur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë dhe zbatohet nga Qendra Ndërkombëtare për Zhvillimin e Politikave të Migrimit (ICMPD).