Ruairi O'Connell, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë

Ambasadori O’Connell: Të korruptuarit nuk do të mund të hyjnë në Britani të Madhe

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell ka deklaruar se cilido zyrtar i Kosovës që ka histori kriminale dhe që ka lidhje me korrupsion, nuk do të mund të hyjë në Mbretërinë e Bashkuar.

Këtë deklaratë ambasadori e ka dhënë kur është pyetur nga një qytetar në Facebook, nëse Britania e Madhe do ta zbatojë praktikën e njëjtë që zyrtarëve të korruptuar kosovarë mos t’ua lëshojë vizat në këtë shtet, sikurse ka njoftuar ditë më parë Ambasada e SHBA-së në Kosovë.

“Kur do të veprojë njëjtë edhe ambasada e Anglisë sikur e Amerikës me ua ndalu vizat zyrtarëve të korruptuar?”, ishte pyetja e një komentuesi.

“Cilido që ka histori kriminale dhe që ka lidhje me korrupsion, nuk do të mund të hyjë në Mbretërinë e Bashkuar”, ishte ndërkaq përgjigjja e Ambasadorit O’Connell.

 

Ambasadori O’Connell ka aktivizuar praktikën e tij që përmes Facebook-ut t`u përgjigjet pyetjeve të përdoruesve të këtij rrjeti social  në Kosovë.

Ai ka bërë të ditur se deri në orën 12:00 do t’u përgjigjet pyetjeve të qytetarëve.