Foto: Klan

Ambasadori i BE-së në Tiranë: Holanda duhet t'i faktojë pretendimet për kthimin e vizave Shqipërisë

Një grup prej katër anëtarësh të Parlamentit të Holandës ka nisur një mocion për të anuluar përkohësisht lëvizjen e lirë për shtetasit e Shqipërisë në Zonën Shengen.

Ky mocion sipas tyre është bërë me arsyetimin e luftimit të krimit të organizuar.

E në lidhje me këtë, ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca thotë se pretendimet e paraqitura në mocion mbi rritjen e kriminalitetit nga shqiptarët duhet të faktohen.

“Tani për tani Komisioni do të bëjë vlerësimin e vetë. Vetë qeveria holandeze në debatin që patën në Parlament nuk është shprehur që ka një lidhje të qartë ndërmjet udhëtimit pa viza dhe krimit të organizuar. Prandaj do të nevojiten të dhëna dhe statistika që të arrihet kjo lidhje që nuk është vërtetuar ende”, tha ai, raporeton Tv Klan.

Soreca sjell në vëmendje shqyrtimet që Brukseli i bëri 4 muaj më parë respektimit të kritereve nga vendet e zonës Schengen, ku Shqipëria rezultoi se përmbushte të gjitha kriteret.

I pyetur nëse vendimi i parlamentit të Holandës do të ndikojë në çështjen e negociatave, Soreca tha se vendimi i qershorit do të bazohet në raport-progresin e majit.

“Vendimi që u mor në Parlamentin holandez dhe që do shikojmë nëse do jetë qeveria holandeze që do t’i kërkojë Komisionit Europian. Ndërkohë që ka një raport tjetër që do të shikohet në lidhje me çeljen e negociatave që do të ndodhë në Qershor”, tha ai.

Si eurodeputeti që në 2010 udhëhoqi procesin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë, Soreca tha sa lëvizja e lirë është një arritje e madhe e shqiptarëve dhe se qeveria duhet të vazhdojë t’i kushtojë vëmendje bashkëpunimit si me qeverinë e Holandës ashtu dhe me vendet e tjera.

Më 11 prill, parlamenti holandez ka diskutuar rreth këtij mocioni, duke siguruar mbështetjen e shumicës. Tani parlamenti do t’i kërkojë qeverisë së Holandës për t’i propozuar Komisionit Evropian të nisë procedurat që mundësojnë pezullimin e udhëtimit pa viza për shtetasit e Shqipërisë.

Ata kanë përmendur në dokument se kanë vërejtur një rritje të aktiviteteve kriminale të mafisë shqiptare në Holandë, duke theksuar se këto organizata janë duke abuzuar me mundësinë e të udhëtuarit lirshëm në Evropë.

Përndryshe, në muajin janar të vitit 2018, Franca po ashtu ka kërcënuar me kthimin e regjimit të vizave për shtetasit e Shqipërisë, pasi ky shtet ka pranuar 7,630 kërkesa për azil nga shqiptarët më 2017.