Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt

Ambasadori gjerman për transformimin e FSK-së: I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të vetëpërmbahen

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Christian Heldt me rastin e votimit në Kuvendin e Kosovës të tri ligjeve që mundësojnë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura për një periudhe dhjetë vjeçare ka kërkuar që kosovarët edhe serbët të ruajnë qetësinë e tyre dhe të mos krijojnë armiqësi të reja.

Ai ka thënë se do t’i studiojnë me kujdes të shtuar ligjet që u kaluan sot.

“Të vepruarit përgjegjshëm dhe në linjë me politikat dhe qëllimet e aleancës ka qenë principi i suksesit të NATO-s dhe suksesi i vendeve që kërkojnë integrimin euro-atlantik. Kjo është arsyeja përse ne i bëjmë thirrje Kosovës që të vazhdojë bashkëpunimin intensiv me NATO-në. Procesi gradual i rritjes në kapacitete dhe aftësi të FSK-së do të sjellë më shumë përgjegjësi.”, ka thënë ambasadori gjerman.

Sipas Heldt, deklaratat e liderëve të partive politike në Kosovë, të cilat theksojnë karakterin multietnik, besnikërinë ndaj Kushtetutës, përkushtimet në angazhimet e dhëna ishin inkurajuese që Kosova të ketë këtë transformim.

“Procesi i transformimit do të jetë i gjatë dhe ka shumë punë që duhet bërë pas veprimit të sotëm. Ne i bëjmë thirrje të gjithëve në Kosovë dhe në Serbi që të vetëpërmbahen. Transformimi i FSK-së nuk duhet të përdoret si pretekst për të ushqyer eskalimin. Në këtë pjesë të Evropës, është i nevojshëm më shumë bashkëpunimi dhe dialogu, e jo krijimi i armiqësive të reja.”, theksoi ai.

Përgjegjësia kërkon që të jeni të përgjegjshëm, deklaroi më tutje ambasadori i Gjermanisë në Kosovë.