Ambasadori gjerman në konferencën rreth barazisë gjinore | Foto: KALLXO.com

Ambasadori Gjerman: Gratë Kanë Kualitet Lidershipi

Ambasadori gjerman Christian Heldt tha se shoqëritë me pabarazi gjinore nuk shfrytëzojnë gjysmën e potencialit.

“Shoqërisë që nuk e përdor ketë potencial i mungon gjysma e potencialit”, tha ambasadori Heldt.

Ai ishte burri i vetëm pjesëmarrës në konferencën e organizuar nga Ministria e Integrimit dhe organizata gjermane GIZ në të cilën u fol për dimensionin gjinor të integrimit europian.

Heldt tha se barazia gjinore nuk duhet të jetë projekt vetëm i grave.

“Më duhet të shoh burra të ulur në këtë tavolinë, sepse [barazia gjinore] nuk është vetëm projekt i grave, por duhet të flasim bashkë”, tha ambasadori gjerman.

Ai konstatoi se gratë kanë cilësi.

“Gratë kanë një kualitet lidershipi. Pra, si në administratë dhe biznes”,tha Heldt.

Ai deklaroi se edhe në Gjermani ka probleme me barazi gjinore.

“Në Gjermani edhe pse e kemi një femër udhëheqëse, nuk është gjithçka në rregull me barazinë gjinore”, tha Heldt.

Në konferencë ministrja Dhurata Hoxha deklaroi se gratë po ia zbardhin gjithkund fytyrën Kosovës.