Ruairi O'Connell | Foto: Facebook

Ambasadori britanik thotë se disa vende e kanë tërhequr njohjen për Kosovën, MPJ e mohon

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell tha se disa vende e kanë tërhequr njohjen ndaj shtetit të Kosovës.

O’Connell i pyetur nga një qytetar gjatë një bashkëbisedimi në ‘Facebook’ tha se nuk ka justifikim për këto veprime.

“Fatkeqësisht, disa vende i kanë terhequr njohjet e tyre për Kosovën. Nuk mendojmë qe ka ndonjë justifikim për këto veprime. Kosova i përmbushë te gjitha kriteret për te qene një shtet i pavarur, ne e kemi pranuar Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran”, është përgjigjur ai.

Mirëpo, i kontaktuar nga KALLXO.com këshilltari i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj, e ka mohuar se ka tërheqje të njohjeve për shtetin e Kosovës.

“Jo, nuk është e vërtetë që ka tërheqje të njohjeve, se në qoftë se një vend e tërheq njohjen atëherë ne si Ministri e Punëve të Jashtme do të njoftohemi menjëherë”, u përgjigj shkurt ai.

Kohëve të fundit po flitet se diplomacia serbe pretendon se e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, vendet siç janë: Liberia, Burundi, Guinea Bisao, Sao Tome e Principe, Surinami, Unioni i Komoreve, Ghana, Gambia, Dominika, Grenada.