Ruairi O'Connell, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë

Ambasadori Britanik për Demarkacionin: Merrni Parasysh Faktet, Jo Dëshirat!

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka bashkëbiseduar me qytetarët e Kosovës në profilin e tij në Facebook.

Shumica e pyetjeve që u janë shtruar ambasadorin kanë të bëjnë me marrëveshjen e demarkacionit dhe politikanëve të korruptuar.

Ambasadori është pyetur në lidhje me qëndrimin e tij karshi marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ku ka kërkuar që për këtë çështje duhet të merren parasysh faktet dhe jo dëshirat.

“Çështja e demarkacionit është çështje bilaterale në mes të Kosovës dhe Malit te Zi. Grupi i Shengenit brenda Bashkimit Europian ka dhënë si kusht për liberalizimin e vizave. Pra nëse Kosova dëshiron të shfrytëzojë liberalizimin e vizave duhet të përmbush kriteret që i ka paraqitur Bashkimi Europian. Por unë kam thënë disa herë që për këtë çështje ashtu sikurse edhe çështjet tjera duhet te merren parasysh faktet jo dëshirat”, ka qenë komenti i ambasadori O’Connell.

Një qytetar e ka pyetur se pse ambasadori në deklaratat e tij lufton korrupsionin dhe takohet me ‘politikanë të korruptuar’, e këtu ambasadori ka treguar rolin e tij si diplomat në Kosovë.

“A e kuptoni punën e diplomatit? Diplomati takohet me politikanët e zgjedhur prej popullit. Nëse mendoni që ata janë të korruptuar mos votoni për ata”, është përgjigjur ambasadori britanik.

Një qytetar tjetër interesohet të dijë se si mund të aplikojë dhe të marrë vizë britanike, e O’Conell u është përgjigjur duke ia shkruar ueb-faqen zyrtare për viza,

Një qytetar tjetër e pyeti se cili është “politikani më i korruptuar” në Kosovë, e O’Connell nuk vlerëson politikanët por tregon se çfarë do të ndodhte në Britani në situata të tilla kur një politikan është i korruptuar.

“Në Britani për shembull një politikan i korruptuar do të ishte i përjashtuar, do të ishte diçka që do të përmbyllte karrierën e tij ose saj. E kuptoj pyetjen, nuk dua të vlerësoj politikanët, por dua të them një gjë: një shkelje e ligjit, një hap i korruptuar, një vjedhje e parasë publike, një tentim ndikimi te gjyqtarët, duhet të mjaftojë për t’i përfunduar karriera dikujt. Por kjo varet prej votuesve te Kosovës dhe jo prej meje”, vlerëson ambasadori.

O’Connell është përgjigjur në një pyetje në lidhje me raportin e tij me Presidentin Thaçi duke thënë se raportet mes tyre janë shumë të mira.

“Kam marrëdhënie shumë të mira pune me Presidentin, ashtu siç kam me shumë liderë tjerë kosovarë”, ka shkruar ambasadori O’Conell.

E një qytetar tjetër si duket është bërë merak për shëndetin e Mbretëreshës Elizabet II, duke e pyetur ambasadorin; “Si është Nëna Mbretëreshë me shëndet?”, ndërsa O’Connell e ka njoftuar me shëndetin e Mbretëreshës që sipas tij është shumë i mirë si dhe e ka falënderuar për kujdesin.

Ambasadori i Britanisë, Ruairi O’Connell për të disatën herë bisedon me qytetarët nëpërmjet profilit të tij në Facebook.